Aktualitet

“Jam profesor doktor”, Malltezi apelon arrestin me burg, Bektashi jo: Do përballem me drejtësinë

Malltezi është shprehur se ai ka qenë në dijeni të hetimeve, dhe në rast se donte që ti shmangej drejtësisë mund të ishte larguar jashtë vendit

E.K
“Jam profesor doktor”, Malltezi apelon arrestin me burg, Bektashi
Bektashi dhe Malltezi

TIRANË- Jamarbër Malltezi dhe Fatmir Bektashi, pjesë e hetimeve për dosjen e privatizimit të ish-kompleksit Partizani, kanë mbajtur qëndrime të ndryshme sa i takon apelimit të masës së sigurisë që iu është dhënë nga Gjykata e Posaçme.

Malltezi përmes avokatit të tij mbrojtës Klodian Skënderi ka ankimuar masën e arrestit me burg, ndërkohë që ndërtuesi Bektashi nuk e ka apeluar masën e detyrimit për paraqitje, duke thënë se gjatë punës së tij nuk ka marrë asnjë masë administrative dhe jo më që të ketë kryer vepër penale. Për Bektashin u dha dhe masa e ndalimit të daljes jashtë vendit. 

Ndërkohë që janë zbardhur dhe deklarimet e Malltezit në seancën e ditës së hënë që u mbajt me dyer të mbyllura, ku është shprehur se puna për privatizimin e objektit kishte nisur që në vitin 2000, kohë kur nuk ishte Sali Berisha në pushtet.

“Nuk e dija që armiku isha unë. Procedurat për privatizimin e objektit kanë nisur në vitin 2000. Është firmosur inventarizimi nga kryeministri aktual që është Edi Rama, i cili ka qenë kryetar bashkie”, tha Malltezi, citon Top Channel.

Sipas Malltezit, zona ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi, jo pjesërisht sportive sikurse e përmend akuza. Malltezi e ka cilësuar procesin ndaj tij një sulm të hapur politik, pasi GJKKO sipas tij ka ndërtuar një dosje që është  “fotokopje” e akuzave që ka bërë më herët Taulant Balla.

“E gjithë zona nuk ka qenë zonë sportive siç përmend akuza, ka qenë pjesërisht sportive dhe pjesërisht zonë banimi. Zona sportive ka qenë me uzurpues të paligjshëm, i cili pretendonte se kishte të regjistruar shoqëri aksionere KF Partizani. Vetë Ministria e Mbrojtjes në kohën e Pandeli Majkos ka hapur proces civil dhe gjykata e shfuqizoi KF Partizanin të regjistruar si shoqëri aksionere. SPAK ka marrë fotokopje çfarë ka thënë Taulant Balla. Të gjitha janë akuza politike. Jam i arsimuar, jam prof. doktor. Jetoj në Shqipëri, kam pasur mundësi të largohem. Hetimi po mbahet prej 2020 dhe unë kam qenë në dijeni të këtij procedimi. Nëse doja të largohesha, do largohesha”, u shpreh Malltezi.

Nga ana tjetër në seancë biznesmeni Bektashi ka deklaruar se i qëndron përballë drejtësisë sepse nuk ka kryer asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do ta vërtetojë koha.

“Unë kam një parim, çfarë do që të ndodhë, dil nga dera kryesore dhe përballu me këdo. Unë e dija që kishte hetim prej 2020. Kam qëndruar këtu të përballem me drejtësinë. S’ka asnjë vepër penale të pretenduar nga akuza dhe këtë do ta vërtetojë koha”, ka deklaruar Bektashi. /Zëri.ai 

Poll

MOS HUMB