TIRANË- Një rast i ri mashtrimi financiar i dyshuar si pjesë e skemave të përsëritura të Florian Gjergjit është zbuluar nga Krimi Ekonomik, ku një kambist në Durrës ka humbur 60 mijë euro.
Sipas hetimeve, Gjergji, i cili dyshohet se ndodhet në Gjermani dhe njihet edhe për raste të mëparshme të ngjashme, i është prezantuar viktimës përmes mesazheve si kushëriri i një biznesmeni të njohur. Kambisti kishte shoqëri me kushëririn e biznesmenit, sakaq, Gjergji ka shfrytëzuar njohjen dhe ka fituar besimin e tij.
Më pas, kambistit i është kërkuar shuma prej 60 mijë eurosh, të cilat është udhëzuar t’ia dorëzonte një personi pranë qendrës tregtare “TEG” në Tiranë. Pas marrjes së parave, ky person është larguar drejt Elbasanit, ku është takuar me një tjetër bashkëpunëtor që kishte mbërritur me taksi nga një zonë rurale.
Dy personat e përfshirë në tërheqjen e parave janë identifikuar dhe arrestuar nga policia. Në dëshmitë e tyre, ata kanë deklaruar se vepronin sipas udhëzimeve të Florian Gjergjit.
Rasti është zbuluar pasi kambisti, menjëherë pas dorëzimit të shumës, kontaktoi personin që i ishte referuar si “kushëriri i biznesmenit”, duke kuptuar se kishte rënë pre e një mashtrimi dhe se nuk kishte pasur asnjë kërkesë reale për paratë.
ZËRI ka raportuar më herët rastet e shumta nën emrin e ish-Ministrit të Brendshëm Taulant Balla apo të kryebashkiakut Erion Veliaj. Prej fillimit të viti 2023 Florian Gjergji është një prej personave më të kërkuar sa i takon skemave të mashtrimit. Policia në disa raste ka zbardhur me prova, se si ai vendoste gjoba ndaj biznesmenëve duke u prezantuar herë si kryebashkiak i Vlorës dhe herë si Erion Veliaj i Tiranës. Gjergji përdor aplikacionet “Telegram” dhe “Signal”, ku u prezantohet biznesmenëve, kryesisht të fushës së ndërtimit, si kryebashkiakë, ministra, apo edhe drejtues të institucioneve shtetërore./ZËRI