
TIRANË- Zbardhen detaje nga dosja e rrëfimit të Marjus alias Artan Tafani, bashkëpunëtor i ngushtë i Laert Haxhiut. Në dosjen me rrëfimin e tij, i riu nga Lushnja tregon me detaje sesi iu fut botës së krimit, duke evidentuar se pjesëmarrjen e parë e ka pasur me një vendosje tritoli, e menjëherë është "katapultuar" në një atentat të ndodhur në Sarandë. Bëhet fjalë për vrasjen e biznesmenit Çajup Selimi, i cili u ekzekutua nga vetë Tafani në pallatin ku ai banonte, teksa po hynte në shtëpi. Të gjithë ngjarjen e ka rrëfyer vrasësi, i cili flet me detaje për 'emocionet' para ngjarjes.
PJESË NGA DOSJA E PLOTË:
Detyra e parë e Tafanit
"Si fillim duhet të vendosja një tritol në Lushnje në banesën e Erion Çokut. Banesa ishte në emër të vëllait të Erionit. Laerti kishte konflikt me Erionin pasi ky i kishte 3-4 mijë euro borxh. Unë i kam vendosur 100 gram tritol tek shtëpia e Erionit jashtë derës së banesës, e cila ishte në katin eparë të një pallati. Tritolin e kisha marrë në Delvinë para disa kohësh. Pasi bëra këtë ngjarje, Laerti më dha 200 euro."
Më pas, shkuan në Korçë. Me Laert Haxhinë dhe me Artan/Marjus Tafanin ishin edhe: Bledar Berberi, Ligor Romaçka dhe Marglen Topuzi. Me ta ishin edhe 2 vajza, por nuk dihet identiteti i tyre.
"Më tha që duhej vrarë një person që ishte nga Tepelena dhe do të bëhej për llogari të një personi tjetër kundrejt pagesës. Laerti më tha që për këtë vrasje do të paguesha 50 mijë euro dhe do të bëhej për llogari të Canos."
Të gjithë udhëtuan drejt Sarandës, atje u takuan me Erisiano Abedinin që njihet me nofkën "Cano". Cano kërkoi ekzekutimin e Çajup Selimit me pretendimin se kishte çështje nderi me të.
"Kur ishim në makinë të gjithë bashkë, Golja më dha një pistoletë nga ato me fishekë të vegjël 7.65 mm që kishte silenciator. Ma vuri nëbrez. Golja ishte shumë i entuziazmuar. Kurse unë isha shumë në stres sepse e kisha për herë të parë dhe kisha frikë."
Nga vëzhgimi që i kishin bërë viktimës kishin zbuluar se ai kthehej nga dyqani për në shtëpi në këmbë. Në raste të caktuara, kthehej së bashku me një fqinjin e tij me autoveturë. Ata i ndanë detyrat duke lënë Golen që ta survejonte, pasi të mbyllte dyqanin. I penduari Tafani e priste afër pallatit. Sipas dosjes së siguruar nga "Inside Story", ata komunikonin me njëri tjetrin me aplikacionin Signal.
“Makina kishte ndalur tek hyrja e 4 e pallatit dhe Çajupi po vinte për tek hyrja e parë ku kishte edhe banesën kur më pa mu duk sikur dyshoi sepse e mori kthesën si më gjatë. Unë në atë moment ula maskën e covidit dhe e përshëndeta duke i buzëqeshur. Në dorë kisha telefonin dhe po bëja sikur po flisja. Kur Çajupi hyri në pallat ju vura mbrapa. Kur ai po ngjiste shkallët unë kam nxjerrë armën dhe e qëllova ng apas afër pjesës që i korrespodonte zemrës. Ai sikur u kthye pak nga unë, aty kam qëlluar edhe dy fishekt që kisha. Një nga të cilët e ka kapur po në trup ndërsa një plumb ka kapur te muri i një banese,”- rrëfeu i penduari i drejtësisë, Artan Tafani.
Pas kësaj vrasje, ai rrëfen me detaje se si është larguar dhe kush e ka ndihmuar për të humbur gjurmët. Tafani ka vrapur drejt rrugës së lumit Vjosë ku e kishte lënë që të takohej me bashkëpunëtorin e tij, Ligor Romaçka. Më pas, i penduari thotë se e ka takuar një burrë i panjohur që i është prezantuar si xhaxhai i Erisiano Abedinit, i njohur me nofkën Cano. Personi i panjohur e ka marrë në shtëpinë e tij.
"Ky burri kishte si trup mundësi, i shkurtër. Kishte musteqe dhe flokë të paqethur. Banesa e tij ishte 10-15 minuta nga vendi ku isha. Kam hyrë aty dhe kam pritur derisa të vijë Golja. Kam qëndruar 3 orë aty dhe më pas erdhi Golja që ishte shumë i lodhur. Kur foli në telefon me Laertin ai po i bërtiste se nuk e kishte bërë mirë detyrën e tij që të ruante."
Çajup Selimi u vra në qershor të 2021 në Tepelenë. Ngjarja ka ndodhur në lagjen “15 shtatori” në Tepelenë në banesën e biznesmenit. Fillimisht pretendohej se Selimi është thirrur nga një person i pa identifikuar për të dalë poshtë shtëpisë së tij dhe në momentin që doli nga banesa, ku u prit nga një person në katin e dytë, i cili ka qëlluar dy herë me pistoletë në drejtim të tij. Por Tafani ka zbuluar dinamikën e vërtetë të vrasjes së biznesmenit "të miellit", ashtu siç 51-vjeçari njihej gjërësisht në Sarandë./Zëri.ai