TIRANË-Ish-zv/drejtori i Agjensisë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit (AKSHI), Daniel Shima, është marrë dy herë në pyetje në ambjentet e Prokurorisë së Posaçme, SPAK, lidhur me hetimin penal ndaj ish-drejtoreshës Mirlinda Karçanaj dhe zyrtarëve të tjerë të këtij institucioni.
Dëshmia e Shimës, është klasifikuar si sekret nga SPAK. Por ky sekret u dekonspirua teksa rrëfimi i Daniel Shimës është përdorur si provë gjatë zhvillimit të seancës gjyqësore në Gjykatën e Apelit të Posaçëm, ku përfaqësuesi i prokurorisë e paraqiti në tavolinën e gjyqtarit si provë të re.
Konkretisht gazetari Elton Qyno ka mësuar se ish-zv/drejtori i AKSHI-t Daniel Shima, është pyetur dy herë për llogari të procedimit penal Nr.36/4, ku persona nën hetim për disa vepra penale janë vënë shtetasit biznesmeni, Ergys Agasi, ish-drejtoresha e AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj, Ermal Beqiri i “Soft Solution”, Hava Delibashi, Rogers Rryta, Andis Papa, Gëzim Hoxha.
Marrja në pyetje është realizuar në muajin Dhjetor 2025 dhe në muajin Janar 2026, ku Daniel Shima ka dhënë shpjegime lidhur me praktikat e hapjes së procedurave tenderuese në Agjensinë Kombëtare të Shoqërisë dhe Informacionit.
Shima, ka dhënë shpjegime detajuese që sipas Prokurorisë së Posaçme ka rënduar pozitën e ish-drejtoreshës së AKSHI-t, Mirlinda Karçanaj. Sipas rrëfimit të tij, Komisionet e Vlerësimit të Ofertave gjatë mbylljes së praktikave, shpesh herë orientoheshin nga titullarja e institucionit, Karçanaj.
Dëshmia e Shimës është futur si provë e re në Gjykatën e Posaçme të Apelit, kur u morën në shqyrtim kërkesat e personave të arrestuar për zëvendësimin e masave të sigurisë. Përmes kësaj prove të re dhe provave të tjera shtesë, SPAK arriti të bindë gjykatën e posaçme të mbajë të palëvizur masat e sigurisë ndaj personave proceduar për këtë rast.
Hetimet ndaj këtij rasti vijojnë, ndërsa Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri vazhdojnë të qëndrojnë në kërkim, pasi gjakata ka caktuar ndaj tyre masën e sigurisë “arrest në burg”. Nga ana tjetër Daniel Shima, është një ish-zyrtar që ka pasur dhe një precedent hetimi në prokurorinë e Tiranës, pas dyshimeve se ai u rrëmbye në zonën e “Qytetit Studenti” në kryeqytetit.
Pas hetimeve të kryera prokuroria e Tiranës vendosi mosfillim të dosjes penale për “rrëmbimin” e ish-drejtorit të AKSHI-t, Daniel Shima. Kjo dosje u rregjistrua në prokurori, pas një referimi penal të bërë nga komisariati Nr.1, i cili kishte marë një denoncim në muajin Gusht 2025, për rrëmbimin e Shimës.
Por pas verifikimeve të kryera Prokuroria e Tiranës mori vendimin e mosfillimit të çështjes penale. Vendimi u morr, duke u referuar tek kqyrja e pamjeve filmike, marrja në pyetje 3 herë e Daniel Shimës, të të fejuarës së tij avokate, 2 herë të nënës së tij.