ELBASAN- Zheni Gjergji, ish-deputetja e Partisë Demokratike, është emëruar drejtoreshë e Spitalit Rajonal ‘Dr. Xhaferr Kongoli’ në Elbasan. Gjergji ka njoftuar këtë të martë detyrën e re dhe largimin nga Partia Demokratike, duke theksuar se nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional. Ish-deputetja shpreh nderin për të drejtuar institucionin më të rëndësishëm shëndetësor në qytetin e saj, Elbasan, teksa shton se është një sfidë që kërkon përkushtim dhe ndershmëri.
“Sot kam pranuar me përgjegjësi dhe përulësi detyrën si Drejtoreshë e Spitalit Rajonal “ Dr. Xhaferr Kongoli” Elbasan. Kjo nuk ishte një zgjedhje e lehtë politike, por një vendim thellësisht profesional dhe njerëzor. Pavarësisht angazhimit tim të mëparshëm politik, unë kam qenë dhe mbetem mjeke.
Profesioni im është thirrje, jo pozicion. Kam zgjedhur të jem aty ku mund të jap më shumë për shëndetin e njerëzve, për komunitetin tim, për qytetin që dua. Elbasani është qyteti im, vendi ku jam rritur dhe ku kam ndërtuar identitetin tim profesional. Të jem në krye të institucionit më të rëndësishëm shëndetësor të këtij qyteti është për mua një nder, por mbi të gjitha një sfidë që kërkon përkushtim, dije dhe ndershmëri.
Shëndetësia ka nevojë për njerëz që e njohin sistemin, që ndjejnë barrën e përgjegjësisë dhe që janë të gatshëm të punojnë me përkushtim, përtej bindjeve dhe kornizave politike. Faleminderit për besimin. Angazhimi im do të jetë çdo ditë në shërbim të pacientit, stafit mjekësor dhe dinjitetit të kujdesit shëndetësor”, shkruan Zheni Gjergji.