
ELBASAN- Një aksident i rëndë është regjistruar këtë të hënë në ish-kombinatin Metalugjik të Elbasanit, sot “Korum”, ku një inxhinier ka mbetur i plagosur bashkë me punëtorin. Raportohet se kemi të bëjmë me vëllain e ish-ministres së Arsimit Evis Kushi, Mikel Caku. Po ashtu i plagosur ka mbetur dhe David Elezi.
Vëllai i ish-ministres Kushi, mësohet se është në gjendje më të rëndë shëndetësore. Deri më tani dyshohet se aksidenti ka ndodhur si pasojë e mosnjohjes së procesit teknologjik të makinerisë që Caku dhe Elezi po tentonin ta vinin në punë. Prokuroria ka nisur hetimet në lidhje me ngjarjen.
NJOFTIMI I POLICISË:
Elbasan/Më datë 08.01.2024, në spitalin e Elbasanit, ka shkuar për asistencë mjekësore shtetasi M. C., 58 vjeç banues në Elbasan. Pas marrjes së njoftimit, Shërbimet e Komisariatit të Policisë Elbasan dhe grupi hetimor kanë shkuar në spital dhe më pas në vendngjarje dhe kanë kryer të gjitha veprimet hetimore dhe procedurale, për zbardhjen e rrethanave të këtij rasti. Nga veprimet hetimore rezultoi se në ambientet e “Kurum”, shtetasi M. C., 58 vjeç, me detyrë ekspert për sigurinë e zjarrit, gjatë ekspertimit tek Sektori i Petëzimit, është dëmtuar aksidentalisht në këmbë nga një shufër hekuri e shkëputur nga makineria e prodhimit. 58-vjeçari është në kujdesin e mjekëve, jashtë rrezikut për jetën. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme./ZËRI