TIRANË- Gjykata e Posaçme ka vendosur ndryshimin e masës së sigurisë për Ermal Kurtulajn, një prej të pandehurve në dosjen e njohur si SASPAC, ku i pandehur është edhe ish-ministri Ilir Beqaj.
GJKKO ka pranuar kërkesën e mbrojtjes për zëvendësimin e masës “arrest në burg” me masën “arrest në shtëpi”. Vendimi është marrë pas argumentimit të mbrojtjes mbi përfundimin e afateve maksimale të paraburgimit, duke iu referuar edhe vendimit të Gjykatës së Lartë për kufijtë kohorë të masave të sigurisë.
Ky vendim vjen pak ditë pasi Gjykata e Posaçme vendosi t’ia kthejë SPAK-ut dosjen SASPAC për plotësim të hetimeve. Prokuroria e Posaçme ka afat deri më 30 tetor për kryerjen e veprimeve shtesë të kërkuara nga gjykata.
Në këtë dosje janë 9 persona nën hetim, ndërsa Ermal Kurtulaj dhe ish-ministri Ilir Beqaj ishin dy të pandehurit ndaj të cilëve ishte caktuar masa “arrest në burg”. Pas ndryshimit të masës për Kurtulajn, pritet që edhe mbrojtja e Beqajt të kërkojë rishikimin e masës së sigurisë./ZËRI