
ITALI- Komiteti për rendin dhe sigurinë publike u mblodh urgjentisht pas përplasjes së shqiptarëve në “Shake bar” në Frosinone, dy ditë më parë ku mbeti i vrarë Kasem Kasmi, 27 vjeç dhe u plagosën tre persona të tjerë.
"Qyteti Ciociaria nuk është si Bronx-i,"-tha një prej tyre, por duket se ngjarja e fundit i ka shqetësuar shumë. Sidomos kur kjo është një zonë në udhëkryqin e mafias midis Romës dhe Napolit, ku krimi i organizuar dhe jo i organizuar ka hedhur rrënjë prej disa kohësh. Por sipas mediave italiane, më e rëndësishmja është mafia shqiptare, e cila me kalimin e viteve është ngritur në nivelet më të larta, duke kaluar edhe bandat vendase. Me fuqinë që e kanë marrë vetë, ia kanë dalë që të dëbojnë nga qyteti grupe vendase, duke e kthyer Frosinonen në kryeqendër të tregëtisë së drogës dhe prostitucionit.
Të shtënat që ndodhën të shtunën me sa duket lidheshin me një grua, por hija e drogës mbetet. Mikea Zaka, 23-vjeçari i arrestuar për vrasjen, banonte në Casermone ku policia i gjeti e 20 mijë euro cash. Aimendohet se ishte "arkëtari" i një bande kriminale. Casermone, mbetet një nga qendrat kryesore të tregtisë së drogës në jug të Romës, pavarësisht aksioneve të përsëritura nga Policia italiane.
Shqiptarët janë përgatitur për çdo gjë. Vrojtime, kamera, banesa të blinduara për të shitur drogë. Por kanë edhe armë. Në korrik të vitit të kaluar, në një rrugë pranë Casermone, një burrë me një makinë Smart qëlloi në ajër. Ishte një paralajmërim. Vetëm dy ditë më parë të shtëna të tjera ishin shënuar nga një makinë në lëvizje. Frosinone mund të mos jetë një Bronx, por armët sigurisht që qarkullojnë lirshëm.
Në vitin 2016, një person për pak humbi jetën në një shkëmbim zjarri në zonën e Fornacit mes shqiptarëve dhe rumunëve që po luftonin për kontrollin e biznesit të prostitucionit në zonën industriale të Frosinone. Dhe sërish, po për territorin e prostitucionit, një shqiptar qëlloi në fytyrë një bashkatdhetar para një kioske sanduiçësh në Monti Lepini, në hyrje të qytetit.
Edhe Andrea Kërcanaj, 47 vjeç, një figurë e krimit shqiptar në Frosinone, qarkullonte me armë, derisa në vitin 2021, u përfshi në përplasje me armë zjarri në burgun e Frosinone. Alessio Peluso, i njohur si "O Niro", shefi i lagjes veriore të Mianos në Napoli, i cili donte të hakmerrej për një rrahje të pësuar disa ditë më parë, qëlloi me një armë që ia sollën në burg me dron./ZËRI