
DURRËS- Një grua në Durrës ka rënë në prangat e policisë, pasi akuzohet se ka djegur një automjet. Dorina Stafaj, banuese në Tiranë, në bashkëpunim me vëllain e saj kanë djegur makinën e shtetasit me inicialet K. S., 42 vjeç. Pas makinës, motër e vëlla kanë tentuar që t’i djegin këtij personi dhe banesën, plan që nuk e kanë realizuar dot. Vëllai i 41-vjeçares është shpallur në kërkim.
Mësohet se Dorina Stafaj kishte pasur një lidhje disa-vjeçare me 42-vjeçarin, por kishte zbuluar së fundmi se partneri komunikonte me të tjera. Stafaj kishte blerë një apartament dhe një makinë (mjeti që iu vu zjarri), ndërkohë që i kishte regjistruar në emër të partnerit të saj. Por pas sherreve dhe dyshimeve se ai e tradhtonte, 41-vjeçarja, në bashkëpunim me vëllain e saj, kishte ndërmarrë hapin ekstrem, duke i vënë zjarrin makinës, pasi kishte pohuar se ishin prona që ajo i kishte blerë me të ardhurat e saj.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Fiery revenge”. I vuri zjarrin automjetit të një 42-vjeçari, kapet dhe vihet në pranga 41-vjeçarja.
Shpallet në kërkim vëllai i 41-vjeçares, pasi bashkëpunoi me të, për diegien e automjetit. Pas djegies së automjetit, 41-vjeçarja ka tentuar të djegë edhe banesën e 42-vjeçarit, por s’ka mundur ta realizojë dot. Procedohet penalisht dhe një shtetas italian, për moskallëzim krimi. Sekuestrohet 1 celular dhe automjeti i përdorur në ngjarje.
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Durrës, menjëherë pas marrjes së kallëzimit nga shtetasi K. S., 42 vjeç, për djegien e automjetit të tij, kanë organizuar punën me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave dhe shkakut të djegies së mjetit.
Nga veprimet e shpejta hetimore të kryera nga Policia, rezultoi se djegia e automjetit ishte e qëllimshme. Në këtë kuadër, u organizua operacioni policor i koduar “Fiery revenge”, për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj zjarrvënieje.
Falë veprimeve të shpejta profesionale dhe hetimore u siguruan prova për autorësinë dhe mekanizmin e ngjarjes. Në kuadër të operacionit u kap dhe u vu në pranga shtetasja D. S., 41 vjeçe, banuese në Tiranë, u shpall në kërkim vëllai i saj. shtetasi M. S., 35 vjeç, banues në Tiranë, si dhe nisi procedimi në gjendje të lirë për shtetasin italian F. C., 58 vjeç, për moskallëzim krimi.
/ZËRI