
VLORË- Makina e drejtoreshës së Tatimeve në qytetin e Vlorës është shkrumbuar nga flakët mbrëmjen e djeshme, ndërsa ngjarja dyshohet se është e qëllimshme. Makina është djegur në zonën e Plazhit të Vjetër në Vlorë, dhe përdorej pikërisht nga drejtoresha e Tatim-Taksave të bashkisë në Vlorë, Anjeza Shiko.
Burime bëjnë me dije se mjeti tip 'Volkswagen' me targa AA444SV, ka qenë në pronësi të babait të drejtoreshës së Tatimeve, Muhamet Çota.
Babai i saj duke folur për mediat, është shprehur se ngjarja është e qëllimshme, dhe lidhet me detyrën e saj në bashki.
“Është e vajzës mbrëmë rreth dhe orës 10 e çerek është konstatuar tym në garazh. Erdhëm me shpejtësi. Me 1000% e qëllimshme për shkak të detyrës që bën vazja pasi punon në bashki”, tha Muhamet Çota.
Mësohet se drejtoresha ka kërkuar urdhër mbrojtje, pa bërë me dije emrat e personave me të cilët mund të ketë pasur konflikte.
Policia ka sekuestruar kamerat e sigurisë në zonë, për të bërë të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe kanë shoqëruar në ambientet e komisariatit disa persona.
NJOFTIMI I POLICISË:
Mbrëmjen e djeshme, në lagjen “1 Maji”, Vlorë, ka rënë zjarr dhe është djegur një automjet tip “Volkswagen”, në pronësi të shtetases A. Sh., banuese në Vlorë (funksionare e bashkisë Vlorë).
Shërbimet e Policisë kanë shoqëruar në Komisariat, disa shtetas të dyshuar lidhur me ngjarjen.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes dhe përcaktimin e shkakut të rënies së zjarrit.
/ZËRI