Aktualitet

I vetmi i arrestuar për masakrën e Don Boskos, pronari i servisit lihet në burg: S’kam lidhje

Policia tha se ka patur shumë komunikime në orarin kur ka ndodhur ngjarja, por sipas avokatit të Ahmetsulaj biznesi i këtij të fundit ndodhet vetëm 700 m nga vendi i ngjarjes dhe se ka patur komunikime vetëm për punë.

E.K
I vetmi i arrestuar për masakrën e Don Boskos, pronari i servisit
ERION HASANBELLI, KEVIN ZENELI (SUÇI) DHE KASANDËR NOGA

TIRANË- Roland Ahmetsulaj, është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, pasi u arrestua në kuadër të hetimeve për masakrën e ‘Don Boskos’ ku mbeti i vrarë Erion Çela, dhe u plagosën shtetasit Blerim Çela, Edmond Crroj, Arben Dani dhe Azbi Selimaj.  Gjatë dëshmisë së tij në Gjykatë, Ahmetsulaj është shprehur se ai nuk ka asnjë lidhje me vrasjen, dhe se komunikimi i vetëm që ka pasur me Kevin Suçin, i cili është shpallur në kërkim, ka qenë për rregullimin e një makine.

“Nuk kam lidhje me ngjarjen. Dy ditë para vrasjes kam patur bisedën me Kevin Suçin për rregullim makine. Më ka marrë për makinën nëse është rregulluar ose jo”, tha para gjykatës i riu.

Policia tha se ka patur shumë komunikime në orarin kur ka ndodhur ngjarja, por sipas avokatit të Ahmetsulaj biznesi i këtij të fundit ndodhet vetëm 700 m nga vendi i ngjarjes dhe se ka patur komunikime vetëm për punë.  

Edhe bashkëpunëtorët e drejtësisë Indrit Gentjan Beqiraj, nuk e kanë përmendur emrin e klientit të tij sipas avokatit. Nga ana tjetër dy të dyshuarit kryesor për ngjarjen Kasandër Noga dhe Kevin Suçi d3eri tani i janë shmangur përballjes me drejtësinë shqiptare. Noga është i dënuar në Belgjikë, për akuzën e tentativës së vrasjes, ndërsa Suçi ndodhet në kërkim.

SI KA NDODHUR ATENTATI

Kasandër Noga, i cili ndodhet në burg në Belgjikë, në bashkëpunim me Kevin Zeneli (Suçi), i cili është ende në kërkim, kanë zhvilluar takime dhe biseda, kanë siguruar dhe kanë dhënë shuma monetare, me qëllim vrasjen e Geron Hasanbellit dhe të dy nipave të tij, për shkak të një hasmërise të vjetër, që Noga, ka prej disa vitesh me vëllëzerit Erion Hasanbelli alias Mikel Rakipllari dhe Geron Hasanbelli.

Kevin Zeneli (Suçi) më pas ka kontaktuar Ilirian Feçin dhe vëllëzerit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, të cilëve iu ka premtuar dhe dhënë si parapagim një shumë monetare.

Zeneli (Suçi) dhe Feçi, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kryer veprime konktrete, takime dhe biseda, janë interesuar për lëvizjet dhe kanë vëzhguar për disa muaj intinerain e mundshëm të lëvizjeve, kanë siguruar mjetet dhe armët, më qëllim vrasjen e Geron Hasanbellit.

Fillimisht, vrasja është marrë përsipër nga vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, por pas disa kohësh ata janë tërhequr nga frika, dhe për vrasjen e shtetasit Hasanbellit e të nipave të tij, Kasandër Noga dhe Kevin Zeneli (Suçi) kanë kontaktuar persona të tjerë, të paidentifikuar deri tani.

Kështu, më datë 4 janar të vitit 2022, Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy persona të tjerë, ende të paindentifikuar, si porosi e Kasandër Nogës, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë Hasanbellin, por ngatërruan objektiv, dhe si pasojë e të shtënave u vra Erion Çela dhe u plagosën katër persona të tjerë.

Indrit Beqiraj, Gentian Beqiraj, Ilirjan Feçi, ndodhen aktualisht pas hekurave dhe është caktuar masa e sigurisë ‘arrest me burg’. Noga ndodhet në burg në Belgjikë, dhe ekzekutimi i masës së sigurimit personal ndaj tij do të bëhet nëpërmjet letër-porosisë, ndërsa Kevin Zeneli (Suçi) vijon të mbetet në kërkim.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB