
TIRANË- Deputeti i Partisë Socialiste, Eduart Ndreca, ka komentuar aksionin e policisë në Kashnjet ku u gjet një stan i përshtatur për kultivim kanabisi gjë që solli dhe ndalimin e të vëllait, Armando Ndreca.
I pyetur nga BIRN, deputeti i Partisë Socialiste Ndreca tha se nuk kishte ende një njoftim zyrtar. Megjithatë Ndreca shtoi se i vëllai duhej të hetohej si çdo qytetar tjetër dhe se duhet të përgjigjet para ligjit nëse e ka shkelur atë.
“Nuk ka ende njoftim zyrtar nga prokuroria, por dua të them që prokuroria dhe policia duhet të bëjnë punën e tyre pavarësisht kush është personi, vëllai im si gjithë qytetarët është i barabartë para ligjit,"- tha ai në telefon.
Armando Ndreca, vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca është ndaluar nga Policia e Lezhës, ndërsa kunati i tij, Armel Nikdukaj dhe shoku i të dyve Elvis Shpellzai janë vënë në pranga pas një aksioni në pyllin e fshatit Kashnjet që zbuloi një stan të përshtatur për kultivim kanabisi. Në dëshminë e dhënë në polici, Ndreca është shprehur se nuk ka lidhje me drogën, ndërkohë zyrtarisht nga Policia e Shtetit nuk është bërë ende me dije roli i tij.
Kjo nuk është hera e parë që familja Ndreca bëhet kryefjalë në aksionet e bluve. Dy vite më parë, policia prangosi vjehrrin e Armando Ndrecës, Ramiz Nikdukaj.
-
-
-
-
Ndalohet vëllai i deputetit të PS, Eduard Ndreca
11 Prill, 10:24