
DURRËS- Drejtuesi teknik i firmës ku punonte 35-vjeçari Andi Lala, që humbi jetën një ditë më parë duke prerë degët e pemëve, është arrestuar për “shkelje të rregullave të mbrojtjes në punë”.
Sipas policisë, firma me drejtues teknik Enrik Mahmutajn nuk kishte marrë leje në organet kompetente si dhe janë shkelur rregullat e sigurisë në punë.
Ngjarja tragjike ndodhi pasditen e djeshme, në lagjen 13 të Durrësit. 35-vjeçari po priste degët e pemëve në zonën ku po kryhen punime për ndërtimin e pedonales kur ra nga vinçi dhe si pasojë e plagëve të marra punonjësi ka humbur jetën.
Në pranga ka rënë edhe drejtuesi i vinçit, Blerim Margeshi, ndërkohë që vijojnë hetimet për ngjarjen.
Njoftimi i policisë:
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Stacionit të Policisë Plazh, në vijim të veprimeve hetimore të kryera në drejtimin e Prokurorisë, për këtë ngjarje të ndodhur në lagjen nr.13, ku humbi jetën punonjësi i një firme që kryen punime për ndërtimet e pedonales në këtë zonë, i cili po priste degët e palmëve, pa lejen e organeve kompetente, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, shtetasit:
E. M., 33 vjeç, banues në Tiranë, me detyrë drejtues teknik i firmës;
B. M., 42 vjeç, banues në Durrës, drejtues i vinçit nga i cili ra shtetasi A. L., 35 vjeç, banues në Tiranë, i cili për pasojë humbi jetën.
Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.