
SHKODËR – Autori i atentatit ndaj Selami Brahimit në Shkodër, është arrestuar në Berlin të Gjermanisë. Tashmë është zbardhur edhe intinerari i krimit, që tronditi kryeqendrën e Veriut. Autori i dyshuar i ngjarjes është 68-vjeçari Sulejman Kapllani. Ai ka ardhur nga Italia për në Shqipëri më datë 05.02.2024, nga Rinasi. Pas kësaj, Sulejman Kapllani ka marrë një makinë me qira në aeroport dhe është nisur drejt Shkodrës, ku ka banesën. Më datë 08.02.2024, autori ka pritur Brahimin për rreth 1 orë që të vinte tek lokali i tij, ku ka ndodhur edhe ngjarja. Kapllani ka qëlluar nga brenda makinës 8 herë me automatik. Një nga plumbat e ka kapur Brahimin në hundë.
Hetimet e Policisë së Shkodrës kanë bërë të mundur që të gjejnë një ditë pas ngjarjes, automjetin e përdorur në krim, i cili ka qenë i braktisur. Efektivët kanë arritur të gjejnë autorin, edhe falë kamerave të sigurisë në zonë. Autori i dyshuar ka bërë këtë intinerar, përpara se të prangosej: Shkodër-Han i Hotit- Aeroporti i Podgoricës-Berlin. Në Gjermani, Kapllani u arrestua. Policia e Shkodrës ka një sërë pistash hetimi, ndërsa më kryesorja është se atentati ka lidhje me konflikte familjare. Kjo, pasi Brahimi e ka Kapllanin xhaxhanë e gruas.
Njoftimi i policisë së Shkodrës për zbardhjen e ngjarjes:
Zbardhet ngjarja e ndodhur 2 ditë më parë, në Shkodër, ku u plagos me armë zjarri shtetasi S. B.
Falë bashkëpunimit dhe shkëmbimit të informacionit ndërmjet Interpol Tiranës dhe Interpol Ëiesbaden, u bë i mundur lokalizimi, kapja dhe arrestimi me qëllim ekstradimin drejt Shqipërisë, i autorit të dyshuar të kësaj ngjarjeje.
Në vijim të hetimeve të thelluara për zbardhjen e rrethanave të rastit, si dhe për identifikimin dhe kapjen e autorit të plagosjes së shtetasit S. B., të kryer më datë 08.02.2024, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë, bazuar në provat dhe në informacionet e siguruara, identifikuan dhe shpallën në kërkim autorin e dyshuar, shtetasin S. K.
Si rezultat i një hetimi intensiv dhe profesional të kryer nga strukturat hetimore të DVP Shkodër, në drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, dhe falë inteligjencës policore, u sigurua informacion se autori i dyshuar kishte udhëtuar drejt Berlinit.
Në kuadër të një operacioni të përbashkët, të koduar “Koordinimi”, të kryer në bashkëpunim me Interpolin dhe me homologët gjermanë, është kapur në qytetin e Berlinit, Gjermani, i shpalluri në kërkim ndërkombëtar shtetasi S. K., 68 vjeç, banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Shtetasi S. K. dyshohet si autori kryesor i ngjarjes së datës 08.02.2024, në Shkodër, ku ka qëlluar me armë zjarri në drejtim të automjetit të markës “Citroen”, për të vrarë shtetasin S. B., banues në lagjen “Guerile”, Shkodër.
Ndaj shtetasit S. K., Prokuroria kishte lëshuar një urdhër ndalimi për veprat penale “Vrasja me paramendim”, mbetur në tentativë dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit”.
Sqarojmë se strukturat kundër krimeve të rënda të DVP Shkodër kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, armën me të cilën është ekzekutuar vepra penale, një AK-47, së bashku me krehra me fishekë, si dhe automjeti i përdorur për transportimin e autorit.
Bashkëpunimi i shërbimeve tona policore me Interpolin është një dëshmi e angazhimit të përbashkët për luftën kundër krimit të organizuar dhe krimeve të rënda.
Policia e Shkodrës po vazhdon hetimet për të zbardhur të gjithë rrethanat e ngjarjes dhe për të vënë përpara drejtësisë dhe autorë të tjerë të mundshëm të implikuar.
Ndërkaq, Weblajm ka publikuar edhe foton e mjetit, që autori ka përdorur në atentat.

/ZËRI/