
TIRANË- Ndodh për herë të parë ekstradimi nga Dubai i dy prej personave më të shumëkërkuar të Policisë së Shtetit, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe. Të dy, sipas kryepolicit Muhamet Rrumbullaku, ndodhen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës. Sipas Rrumbullakut, rikthimi i tyre në atdhe ka ardhur si rezultat i një aksioni 'sekret' të zhvilluar nga Policia e Shtetit.
“Sa i përket dy emrave që ju përmenda, Plarent Dervishaj dhe Julian Meçe, është vënë ekzekutimi i vendimeve dhe ndodhen në ambientet e Drejtorisë së Policisë së Tiranës dhe pritet të vihen në dispozicion të SPAK. Ju konfirmoj faktin që lidhet me njoftimin e bërë në media sa i përket proceseve gjyqësore që zhvillohen në Spanjë. Ne jemi në procedura dhe kontakte të drejpërdrejta për ekstradimin e këtij personi Lulzim Berisha dhe të tjerëve. Mund t’ju konfirmoj edhe vendimin për Fabio Ballabanin, pjesë e një grupi të strukturuar kriminal. Keni boll informacione të dhëna për të shkruar realisht mbi sakrificën e Policisë së Shtetit. Askush nuk mund t’i lindi e drejta për të hedhur hi mbi situata të tilla dhe keqinformime të opinionit publik”, tha Rrumbullaku.
Julian Meçe, ish-anëtari i bandës së Durrësit akuzohet bashkë me Plarent Dervishajn se janë porositësit e atentatit të ndodhur më 1 nëntor 2019 ndaj tashmë ish-prokurorit të Durrsësit, Arian Ndoj. Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar zbuloi se "porosinë" për të hequr qafe ish-hetuesin, Dervishaj ia besoi Ramazan Rrajës, i cili në bashkëpunim me Arjol Halilaj kryen atentatin që viktimën e vetme pati shoferin e Ndojt, Andi Malokun.
Për këtë ngjarje është dënuar me burgim të përjetshëm, Redjan Rraja, ndërsa për Halilajn 35 vite burg. Por edhe pse në burg, të dy kanë marrë "sinjale" nga jashtë. Prokuroria e Posaçme thotë se ka rezultuar e provuar se Dervishaj, së bashku me persona të tjerë të grupit të tij, janë angazhuar për lehtësimin e pozitës së personave të arrestuar, por kundrejt garancisë që nuk do t'i përmendnin kurrë emrat e porositësve, pra të Dervishajt dhe të tjerëve.
Por mbi Dervishajn dhe Meçen rëndojnë edhe akuza të tjera. Plarent Dervishaj u arrestua bashkë me Meçen në Dubai pas rrëfimit të të penduarit të drejtësisë Luftar Reçi. Ky i fundit e akuzoi për vrasjen e Vajdin Lamajt dhe të Klodian Saliut. Por më pas, SPAK ia hoqi akuzat, duke pretenduar se porosinë e kishte bërë një shtetas nga Maqedonia e Veriut. Dervishaj është edhe kunati i Lulzim Berishës, për të cilin po ashtu sot është vendosur ekstradimi në Shqipëri. Prej kohësh, Lul Berisha fshihej në Alicante.
Më 20 qershor të 2019 Julian Meçajt dhe Dervishajt iu bë një atentat në autostradën Tiranë-Durrës, ku si pasojë mbetën të plagosur të dy. Ngjarja ndodhi në zonën e ish-kënetës, pranë mbikalimit të Shkozetit, në Durrës, ku dy të plagosurit ishin duke hipur në makinën e Dervishajt. Meçaj mori tre plumba në trup, ndërsa Plarent Dervishaj morri një plumb në këmbë. Brenda makinës tip Range Rover ishte edhe Bashkim Haxhia, mik i tyre, i vetmi i arrestuar për këtë ngjarje pasi akuzohet se iu kundërpërgjigj me armë në drejtim të autorëve./ZËRI