
TIRANË- Detaje të reja dalin në drita sa i përket atetatit të dështuar ndaj Zamir Kalemit një natë më parë në zonën e Selitës në Tiranë. Raportohet se referuar pamjeve të kamerave të sigurisë në zonën ku ndodhi ngjarja dhe përreth saj, autorët e kanë ndjekur për disa orë "shënjestrën", derisa hapën zjarr ndaj tij. Për ti shpëtuar breshërisë së plumbave të lëshuara ndaj tij, Kalemi ka devijuar rrugën dhe është përplasur me barrierat. Ndërsa në spital është dërguar nga një makinë e rastit. Policia ka gjetur në vendin e ngjarjes 15 gëzhoja.
Pavarësisht se zona u rrethua, Policia nuk arriti të bjerë në gjurmët e tyre, ndërsa atentatorët mbeten ende mister, po ashtu dhe urdhëruesi i atentatit që zgjoi dhe njëherë “frikën” për nisjen e një vale të re hakmarrjeje.
Zamir Kalemi është një i afërm i Aleksandër Sadikajt, i cili dyshohet se është ekzekutuar me urdhër të biznesmenit Edmond Papa, gjithashtu i ekzekutuar. Për vrasjen e Papës u arrestua miku i Kalemit, Albano Velo, ndërsa u shpall në kërkim Andrea Bode.
35-vjeçari është ortak me të vëllain Andrea Kalemi, në firmën "Shiza Kalemi" në qytetin e Memaliajt, pranë Tepelenës, për shitje me pakicë dhe shumicë produktesh, restorante, pika servisi, parkingje, lavazhe, hotele, etj./ZËRI