
PEQIN- Prokuroria e Elbasanit ka lëshuar urdhërarrest për Indrit Shaqjen, pasi ka dyshime që mund të jetë i përfshirë në vrasjen e Arben Lleshit, e ndodhur brenda ambienteve të burgut të Peqinit në datën 15 Dhjetor. Në qelinë e tij është gjetur një aparat celular, si dhe një predhë që i përket armës së Sokol Mjacajt, që qëlloi për vdekje Lleshin.
Vrasja e këtij të fundit ka ndodhur pikërisht në qelinë e Shaqjes. Në dëshminë e tij dhënë para prokurorisë, Shaqja kishte deklaruar se Lleshin po e kërkonte Mjacaj në dritare dhe ai thjesht e kishte thirrur. Mbetet që të verifikohet roli dhe dëshmia e tij. Momentalisht ai akuzohet vetëm për futjen e sendeve të ndaluara në ambientet e qelisë.
“Në vijim të ngjarjes së datës 15.12.2023, nga Shërbimin i Kontrollit të Brendshëm në Sistemin e Burgjeve, më datë 19.12.2023, ora 21:00, u bë arrestimi në flagrancë i shtetasit, të dënuarit Indrit Shaqja, akomoduar në IEVP Peqin, për veprën penale “Futja dhe mbajtja e sendeve të ndaluara në Institucionet e Ekzekutimeve të Vendimeve Penale” parashikuar nga neni 324/a/2 të Kodit Penal.
Kjo pasi, nga kontrolli i ushtruar në dhomën e akomodimit në IEVP Peqin ju gjet 1 (një) aparat celularë i kamufluar në arkën e sendeve ushqimore i cili u sekuestrua.
Gjithashtu u gjet dhe 1 (një) predhë e cila ishte nga ngjarja e vrasjes së viktimës A.LL.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan dhe po vijojnë hetimet me intensitet për të gjithë personat e përfshirë, deri në zbardhjen e plotë të ngjarjes së datës 15.12.2023”, njofton drejtoria e burgjeve.
Kush është Indrit Shaqja
Indrit Shaqja u arrestua në Barcelonë të Spanjës për vrasjen e dy të moshuarave në qytetin bregdetar të Durrësit, më 2 shtator 2014.
Shaqja u fut në banesën e dy kunatave, Elsa Vava 72 vjeç dhe Gjinovefa Vava 77 vjeç, për të vjedhur sende më vlerë dhe para, por kishte hasur në kundërshtinë e tyre, ndaj edhe nisi torturën deri në vdekje. Viktimat u gjetën nga policia të lidhura dhe mbytura me qese plastmasi në kokë në shtëpinë e tyre në lagjen nr.11 të Durrësit mbrëmjen e 2 shtatorit 2014.
Çfarë ndodhi në Peqin
Mesditën e 15 dhjetorit, Mjacaj ekzekutoi Arben Lleshin brenda qelisë së tij. Pas ngjarjes ai ka tentuar të marrë peng disa familjarë të të burgosurve të tjerë në dhomën e takimeve dhe disa gardianë, por më pas është mbyllur në qelinë e tij. Ishin negociatat me drejtorin e Burgut të Peqinit ato që e bindën të vetëdorëzohet, pasi u garantua se nuk do të vritej.Deri më tani dyshohet se shkak për vrasjen e Arben Lleshit është bërë gjakmarrja dhe se urdhri mund të ketë ardhur nga familja Hoxha, por kjo mbetet ende e pakonfirmuar pasi hetimet vijojnë. Vrasësi Sokol Mjaçaj, vuante dënimin me burgim të përjetshëm për vrasjen e dy turistëve çek në vitin 2015./ZËRI