Aktualitet

I dënuar 8 vite e 8 muaj burg, lihet në fuqi dënimi për ish-truprojën e Tahirit

Apeli i GJKKO-së ka lënë në fuqi vendimin për burgosjen e truprojës të ish-ministrit të Brendshëm

D.XH
I dënuar 8 vite e 8 muaj burg, lihet në fuqi dënimi për
Hekuran Marku, ish truproja i Saimir Tahirit

TIRANË – Gjykata e Posaçme për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka lënë në fuqi vendimin për dënimin me 8 vite e 8 muaj burg (13 vite, me gjykim të shkurtuar 8 vite e 8 muaj), për ish truprojën e Saimir Tahirit, Hekuran Marku.

Marku kishte ankimuar vendimin e GJKKO-së, por Apeli e ka lënë atë në fuqi.

“Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Florjan Kalaja (kryesues), Daniela Shirka (anëtare) dhe Iliriana Olldashi (anëtare), më datë 26.09.2023, përfundoi shqyrtimin e çështjes së regjistruar me nr. 37 akti, datë 23.05.2023 regjistrimi, mbi ankimin e paraqitur nga ankuesi/i pandehuri Hekuran Marku., kundër vendimit nr. 67, datë 14.12.2022 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar që ka vendosur:

“1. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hekuran Marku për veprën penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim, në formë të grupit të strukturuar kriminal, të parashikuar nga nenet 283/a paragrafi i parë, 28 pika 4 të Kodit Penal dhe në bazë edhe të nenit 334/1 të Kodit Penal, dënimin e tij me 13(trembëdhjetë) vjet burgim.

2. Deklarimin fajtor të të pandehurit Hekuran Marku për veprën penale “Grupi i strukturuar kriminal”, parashikuar nga neni 333/a paragrafi i dytë i Kodit Penal dhe dënimin e tij me 3(tre) vjet burgim.

3. Në bashkim të dënimeve sipas nenit 55 të Kodit Penal paragrafi i parë të Kodit Penal, dënimin e të pandehurit H.M. me një dënim të vetëm prej 13(trembëdhjetë) vjet burgim.

4. Në bazë të nenit 406 pika 1 të K.Pr.Penale, të pandehurit Hekuran Marku i ulet një e treta e masës së dënimit, për shkak të aplikimit të gjykimit të shkurtuar dhe përfundimisht dënohet me 8 (tetë) vjet e 8 (tetë) muaj burgim.

5. Vuajtja e dënimit të të pandehurit i fillon nga dita e ekzekutimit të masës së sigurimit arrest në burg dhe të kryet në një burg të sigurisë së lartë…”

Në përfundim, Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi:

Lënien në fuqi të vendimit nr. 67, datë 14.12.2023 të Gjykatës së Posaçme të Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar”, thuhet në njoftimin e Apelit të GJKKO-së.

Hekuran Marku akuzohet për trafik ndërkombëtar droge dhe grup i strukturuar kriminal. Marku u ekstradua nga Gjermania në Shqipëri pas kërkesës së Prokurorisë së Posaçme. Ai dhe persona të tjerë u kapën, pas operacionit ndërkombëtar “Shpirti”.

Ekstradimi i tij drejt Shqipërisë

Ish-truproja i Saimir Tahirit, Hekuran Marku është ekstraduar nga Gjermania drejt Shqipërisë shtatë muaj pas arrestimit të tij. Marku u prangos në gusht të vitit 2021. Marku ka qenë pjesë e grupit të shoqërimit të Saimir Tahirit, në kohën kur ky i fundit ishte ministër i Brendshëm, në vitet 2014-2016.

Përgjatë kësaj periudhe, sipas dosjes së SPAK, Marku akuzohet se në bashkëpunim me 4 italianë dhe një shqiptar, ky i fundit i njohur si Eltjon Bregu, ka trafikuar rreth 1 ton kanabis drejt Italisë bashkë me kolegun e tij Agustin Deda.

Droga iu është sekuestruar dy të arrestuarve në Bari, Fiqiret Seferi dhe Ferhat Ajdini. SPAK dyshon se Deda dhe Marku kultivuan drogë me Bregun dhe tentuan ta trafikonin për t’ua dorëzuar katër italianëve. Ka qenë dëshmia e 4 të penduarve të drejtësisë që kanë pranuar të bashkëpunojnë me prokurorinë duke rrëfyer për trafikun e drogës nga Shqipëria drejt Italisë.

Të penduarit kanë dhënë informacione, pas të cilave SPAK, në bashkëpunim me Antimafien italiane, Eurojust dhe DIA kanë dokumentuar aktivitetin kriminal të katër grupeve të trafikut të lëndëve narkotike./Zëri.ai/

Poll

MOS HUMB