
KORÇË– Zëvendësdrejtoresha e Burgjeve, Klotilda Kareci, ka reaguar sot, pasi një i burgosur ka thënë se është lidhur në burgun e Drenovës me zinxhirë për 6 ditë. Kareci theksoi se po kryhen inspektime dhe në bazë të tyre, do dilet në një përfundim.
“Aktualisht ka një grup inspektimi që është ngritur me urdhër të Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, i cili po monitoron dhe heton çështjen në themel. Nga ana tjetër, ka një procedurë të mirëfilltë që administron të tërë praktikën, përfshirë edhe incidentin që ka ndodhur nga vetë i dënuari.
Ka një komision i ashtuquajtur, Komisioni i Vlerësimit të Riskut, i cili pasi harton raportin e riskut, e dërgon për miratim. Momentalisht që flasim, grupi i inspektimit po kryen veprimet procedurale mbi rastin”, tha Kareci.
Zëvendësdrejtoresha e burgjeve, duke folur për Report Tv deklaroi se vendimin për këtë rast e merr Komisioni i Vlerësimit të Riskut. Ajo tha se ky institucion vlerëson rrezikun për ta përsëritur krimin, riskun për arratisje, risku i dëmit nëse arratiset, kontaktet me botën jashtë, riskun për tëë shkaktuar dëme në institucion etj.
“Vendimin e merr Komisioni i Vlerësimit të Riskut pranë IEVP, i cili mblidhet, vlerëson situatën dhe del në një vendim. Për aq sa jam njohur me rastin, i dënuari në tërë praktikën dhe qëndrimin e tij në burgje ka manisfestuar sjellje që në mënyrë të vazhdueshme kanë qenë problematike, duke treguar mungesë respekti ndaj institucionit dhe gardianëve. Po ashtu sipas asaj që IEVP thotë, i dënuari ka shfaqur edhe sjellje të dhunshme kundrejt të burgosurve të tjerë”, u shpreh më tej Kareci.
Besnik Deda, përfaqësues i Avokatit të Popullit ngriti shqetësimin, e mungesës së një institucioni specifik për trajtimin e rasteve që shfaqin problematika të shëndetit mendor.
“Kuadri ligjor që funksionon në burgje ka programe që parashikojnë kufizimin fizik, administrata e burgjeve ne bashkëpunim me organet e Ministrisë së Shëndetësisë duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë të dënuarve me probleme shëndetësore”, tha avokati Deda.
Një i burgosur në Drenovë ka denoncuar në Komitetin Shqiptar të Helsinkit, se është lidhur me zinxhirë në qeli për 6 ditë./Zëri.ai/