
TIRANË- Hetues të Byrosë Kombëtare të Hetimit zhvilluan kontrolle ditët e fundit në banesën e Ilir Beqajt dhe disa zyrtarëve të tjerë të lidhur me të në agjencinë shtetërore, SASPAC, duke sekuestruar telefonave, kompjutera dhe të dhëna të tjera të nevojshme për hetimin e nisur nën dyshimet për korrupsion. Kontrollohe janë zhvilluar edhe në dy zyra në Agjencinë SASPAC, të cilat janë në përdorim të Ermal Kurtulajt dhe Mira Topçiut.
SPAK ka nisur një hetim pasuror ndaj ish ministrit të Shëndetësisë Ilir Beqaj, për lidhje me kompanitë farmaceutike ‘Delta Pharma’. Paralelisht ka nisur edhe një hetim për abuzime në Agjencinë Shtetërore e Programimit Strategjik dhe Koordinimit të Ndihmës, (SASPAC) gjatë kohës kur në krye të këtij institucioni ishte Ilir Beqaj.
Nën hetim është anëtari i kësaj Agjencie, Ermal Kurtulaj, të cilit i është kontrolluar edhe banesa. Gjithashtu lidhur me këtë hetim, i është kontrolluar banesa edhe ish-ministrit Ilir Beqaj, shoferit të tij Arben Dani, Sabian Kurtulajt dhe Gazment Prengës, administrator të biznesit që drejton gruaja e Ilir Beqajt.
Agjencia SASPAC ka si mision koordinimin e ndihmës së huaj për programet dhe projektet zhvillimore, asistimin e strukturave vendimmarrëse për hartimin e Strategjisë Kombëtare për Zhvillim dhe Integrim (SKZHI) dhe monitorimin e zbatimin e saj, ofrimin e mbështetjes metodologjike në hartimin e strategjive ndërsektoriale dhe sektoriale, me qëllim harmonizimin e tyre me SKZHI-në, si dhe monitorimin e zbatimit të tyre, koordinimin e procesit të administrimit të projekteve me interes kombëtar, ofrimin e mbështetjes për institucionet e administratës shtetërore për rritjen e kapaciteteve në fushën programeve dhe projekteve zhvillimore./ZËRI