Aktualitet

Homazhe për vrasjen e Egli Progës/ Qytetarët ndezin qirinj, motra dhe babai: Duam drejtësi!

Në një prononcim të shkurtër për mediat, babai i 42-vjeçarit shprehet se kërkojnë vetëm drejtësi, asgjë tjetër.

f.t
Homazhe për vrasjen e Egli Progës/ Qytetarët ndezin qirinj, motra
Egli Proga

POGRADEC- Kanë filluar homazzhet për vrasjen e Egli Progës. Qytetarët e Pogradecit kanë dalë masivisht për të bërë homazhe për vrasjen e 42-vjeçarit, Egli Proga pak ditë më parë. Në homazhet të cilat po zhvillohen në vendin e ngjarjes, kanë marrë pjesë edhe familjarët e viktimës, mes tyre babai dhe motra. Në një prononcim të shkurtër për mediat, babai i 42-vjeçarit shprehet se kërkojnë vetëm drejtësi, asgjë tjetër.

“Vetëm drejtësi, vetëm drejtësi! Të dali e vërteta, kaq”, shprehet babai i Egli Progës.

E motra e Eglit, lexoi një fjalim edhe për mediat ku bën thirrje që të dali e drejta dhe dhunuesit e vëllait të saj të përfundojnë në burg.

"Ju falënderoj që jeni këtu në vendin ku mori frymë për herë të fundit vëllai im Eglantini. Unë jam motra e tij por që kur ditën që Egli mbeti i pajetë, pasi jetën ia morën barbarët e këtij qyteti, unë do të jem mbrojtësja e tij. Do ta mbroj tani pas vdekjes pasi nuk isha këtu për ta mbrojtur për së gjalli. Shumëkujt mund ti dukem e vogël, e pafuqishme, e dëshpëruar, e pashpresë apo thjesht një hallexheshë me të zeza. Por ju betohem juve që jeni këtu, edhe atyre që fshihen skutave se drejtësinë do ta sjell me çdo kusht. Se ja kam borxh vëllait tim, vetes dhe gjithë familjes sime. Nuk dua që të përfitoj askush nga vëllai im, nuk dua që të politizohet vdekja e tij. Nuk dua të hidhërohet askush më shumë se unë, se familja ime për të. Do të pranoj ndihmën e të gjithëve derisa drejtësia të vihet në vend dhe vëllai im ta shoh nga varrezat ku e kanë vendosur. Kriminelat që i kanë mbyllur gojën këtij qyteti dhe vëllait tim duke i mbyllur jetën do të shkojnë në burg të gjithë pa asnjë përjashtim. Si ata plehra që e dhunuan dhe ja morën shpirtin këtu, si ata të pashpirtët e tjerë që kërkuan ta mbyllin këtë vrasje makabre me heshtje apo me letra, kam vetëm një kërkesë për të gjithë ata që më dëgjojnë sot, për pogradecarët: Flisni, mos kini frikë, tregoni të vërtetat tuaja për banditët që morën jetën e Eglit, dëshmoni se ata mund të vrasin vëllezërit tuaj nëse shpëtojnë paq. Tregoni kush i mbron, kush janë kriminelët pas tyre. Kërkoj nga sistemi i drejtësisë, avokatë, prokurorë, gjyqtarë, këtë herë nuk ka para, nuk ka miq, nuk ka ndërhyrje dhe nuk ka taraf. Mos bëni gabimin dhe ta godisni me shkelm a me grushta vëllain tim siç bën me grushta barbarët. Kërkoj vetëm drejtësi dhe asgjë tjetër, por jo vetëm si shprehje, e kërkoj si vepër. E kërkoj që sot, i bëj thirrje të gjithë avokatëve dhe juristëve të Shqipërisë të vijnë dhe të mbrojnë Eglin bashkë me mua.'-u shpreh ajo.

Po ashtu disa qytetarë ishin mbledhur në katedralen e qytetit të Korçës, ku ndezën edhe qirinj në portretin e të ndjerit. 

"Bëjmë homazhe për largimin me të padrejtë nga jeta e Eglit, i cili u vra dhe tregoi se për të gjithë ne jeta është e pasigurt në këtë vend. Sot ishte Egli, nesër mund të jem unë, mund të jesh ti, mund të jetë kushdo. Prandaj ne besojmë se duhet të kemi një homazh, duhet të kemi një thirrje për drejtësi, duhet të bëhemi të gjithë bashkë për të kujtuar se jeta duhet mbrojtur dhe kjo thirrje i drejtohet mbi të gjithë institucioneve që e kanë për detyrë të na mbrojnë jetën, sepse ne kërkojmë siguri nga ta', shprehet një qytetar.

Homazhe janë zhvilluar edhe në disa qytete të tjera, ku qytetarë nga Tirana, Durrësi e Vlora kanë ndezur qirinj pranë portretit të të ndjerit Egli Proga./ZËRI

Poll

MOS HUMB