
TIRANË- Një 31-vjeçar nga Laçi, i identifikuar me inicialet M.H është arrestuar këtë të shtunë pasi akuzohet se ka ushtruar akte dhune në protestën e një dite më parë para Bashkisë së Tiranës. Mbi të rëndojnë katër vepra penale, ndërsa e ka “pësuar” dhe një 61-vjeçar, i cili akuzohet për prishje të qetësisë publike.
NJOFTIMI I POLICISË:
Tiranë. Drejtoria Vendore e Policisë Tiranë, në lidhje me aktet e dhunshme të ushtruara gjatë protestës së zhvilluar ditën e djeshme, përpara Bashkisë Tiranë, nga Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit, në vijim të veprimeve hetimore e procedurale dhe nën drejtimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, arrestoi në flagrancë shtetasin: - M. H., 31 vjeç, banues në Laç, për veprat penale "Goditjet për shkak të detyrës", "Prishja e qetësisë publike", "Shkelja e rregullave mbi lëndët plasëse dhe djegëse", dhe "Shkatërrimi i pronës me zjarr". Gjithashtu, procedoi në gjendje të lirë shtetasin Xh. V., 61 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale "Prishja e qetësisë publike". Materialet i kaluan Prokurorisë.
Kjo është protesta e 4 e organizuar nga opozita para Bashkisë.Edhe në protestën e mëparshme opozita përdori bomba molotov si dhe pati edhe përplasje fizike me efektivët e policisë, dhunë kjo e cila u dënua fort nga ambasadat e huaja në vendin tonë./ZËRI