Aktualitet

Historia e Vanessës, dashuria me Nicolën që në adoleshencë dhe historia me vrasësin shqiptar

Vanessa do të kishte mbushur 27 vjeç më 4 janar, nëse Bujar Fandaj nuk do ta kishte masakruar me thikë një ditë më parë, ndërkohë që e reja ishte në pritje të fëmijës së dytë me të shoqin, Nicola Scapinello.

F.m
Historia e Vanessës, dashuria me Nicolën që në
Nicola Scapinello dhe Vanessa Ballan

ITALI- Vanessa Ballan dhe Nicola Scapinello u takuan dhe ranë në dashuri kur ishin 15 vjeç. Dita e parë e takimit ishte aq e rëndësishme për të, saqë e reja e kishte vendosur në biografinë e saj në Instagram: "16.11.2012, Nicola". Kjo datë ndiqej nga një tjetër që gjithashtu ishte me mjaft rëndësi për çiftin, data e lindjes së djalit së djalit të tyre, në vitin 2019.

Vanessa do të kishte mbushur 27 vjeç më 4 janar, nëse Bujar Fandaj nuk do ta kishte masakruar me thikë një ditë më parë, ndërkohë që e reja ishte në pritje të fëmijës së dytë me të shoqin, Nicola Scapinello.

Nicola ishte shumë i dashuruar me të. Ai postonte vazhdimisht foto nga pushimet që kishin kaluar së bashku, mbrëmjet e klubeve të natës në Vanilla, koncerte e darka me miqtë. Së fundmi, fotot pasqyronin jetën e tyre familjare.  

Vanessa Ballan ishte shumë e re, por tashmë e rritur njëkohësisht. Pasi ndoqi shkollën Ipsia në Castelfranco, ajo nisi të punonte në kompaninë e babait të saj që prodhon dysheme dhe është e vendosur në Riese, jo shumë larg vendit ku jetonin. Pas diplomimit nga Carlo Rosselli, ajo u punësua si asistente shitjesh. 

Vitet kaluan dhe Vanessa u njoh me Bujar Fandajn, 41 vjeç, tashmë i arrestuar.

Ai jetonte në Altivole dhe dërgonte porositë që bëheshin në supermarketin ku punonte Vanessa. Dyshja nisën një lidhje, por një vit më pare, Vanessa vendosi të ndahej prej tij.

Bujar Fandaj nuk e pranonte këtë gjë dhe këtu fillon sprova e Vanessës, e njëjtë me atë të të gjitha grave që e gjejnë veten përballë burrave që nuk pranojnë refuzim.

Përndjekja dhe kërcënimet

Bujar Fandaj nisi ta persekutojë, ta shantazhojë dhe ta kërcënojë me vdekje. 

"Nëse nuk kthehesh me mua do të të vras", "nëse nuk kthehesh do t'i tregoj burrit tënd videot që kemi bërë bashkë". 

Sipas ligjit ato quhen përndjekje dhe ndërsa për Vanessën ishin një makth. Sepse Nicola nuk dinte asgjë për atë histori dhe ajo ishte e tmerruar se ajo marrëdhënie kalimtare mund të prishte përgjithmonë historinë e gjatë të dashurisë me djalin që takoi kur ishte adoleshente. 

Por, pas shumë kërcënimeve, ajo vendosi që ta kallëzojë të dashurin e saj në polici. Emri i Bujar Fandajt u regjistrua në kartelat e karabinierëve më 26 tetor. Të nesërmen iu ushtrua kontroll në banesë dhe iu konfiskua celulari dhe kompjuteri.

Duket se pas kontrollit, situate ishte qetësuar, të paktën kështu mendonte policia.

Ndërkohë që Vanessa kishte paraqitur letrat për të marrë lejen e lindjes, pasi puna e saj konsiderohej e rrezikshme dhe në kontakt të ngushtë me shumë njerez.

Në këtë mënyrë ajo u përpoq të kujdesej për veten dhe fëmijën që mbante, por edhe t'i shpëtonte kontrollit të Fandajt. 

"Ai vinte këtu herë pas here,”- thotë një koleg i saj.

“Ai ishte një klient i vështirë, përpiqej t'i afrohej asaj. Është një dhimbje e madhe për ne,”- thotë drejtori Alberto Pompeo.

“Unë ende kam vështrimin e qartë dhe të qetë të Vanessës para syve të mi, nuk mund ta besoj se ajo nuk është më këtu,”- shton Pomepo.

Familja është e dëshpëruar

"Tre javë më parë na tha "do të jemi 4 veta". Ne qamë nga gëzimi, nuk mund ta besoj që e lënduan,"- thotë një teze e Vanessës.

Tërbimi i përndjekësit 

Por Vanessën e vranë dhe të gjithë sytë u kthyen te i vetmi person që e kishte kërcënuar me vdekje: Bujar Fandaj. Lajmi për shtatzëninë dhe largimin nga puna, i vetmi vend ku mund t'i afrohej Vanessës pa rrezikuar të zbulohej nga Nicola, me siguri e kishte tërbuar. Ai nuk mund të duronte që dashuria e saj për familjen dhe Nicolan, të ishte mbi të.

Askush nuk i dinte sekretet e Vanesës, të afërmit që mbërritën para shtëpisë së saj flisnin për një “grabitje”. Bashkëshorti Nicola ishte në komisariat gjatë gjithë pasdites, por jo si një i dyshuar.

Poll

MOS HUMB