TIRANË-Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka kryer kontrolle në një kompleks luksoz në jug të vendit, në Palasë. Kontrollet janë kryer në tre banesa me vendim të Gjykatës së Posaçme, dy prej të cilave të Ergys Agasit dhe banesa e tretë raportohet se i përket Ermal Beqirit. Hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH) kanë marrë materiale dhe pajisje nga vilat, të cilat mund të jenë të vlefshme për hetimet.
Biznesmeni Ergys Agasi dhe Ermal Beqiri, të akuzuar për ‘grup të strukturuar kriminal’ dhe manipulim me tenderët e ASHKI-t janë shpallur në kërkim nga SPAK, për të cilët është caktuar edhe masa e sigurisë “arrest me burg”. Dyshja akuzohet se përmes heqjes së lirisë dhe shantazhit detyruan biznesmenin Gerond Meçe, të tërhiqej nga ankimimet për disa tenderë ku donin të dilnin fituese kompanitë e lidhura me ta.
Aksioni është zhvilluar në vijim të një hetimi të thelluar të SPAK. Hetimet dyshohet se përfshijnë rreth 12 procedura tenderimi, ku ekzistojnë indicie se gara është manipuluar për të favorizuar subjekte të caktuara ekonomike, në kundërshtim me ligjin dhe parimet e konkurrencës së ndershme. Sipas burimeve hetimore, përveç shkeljes së barazisë në tendera, autoritetet po hetojnë edhe qarkullimin e fondeve të përfituara nga këto kontrata, për të verifikuar elementë të mundshëm të pastrimit të parave./ZËRI