
TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me arrestimin e efektivit të “Operacionales” Ervis Shkurta i cili u ndalua sot nga AMP. Zbulohet se Shkurta ka pasur dijeni për kokainën e kapur dy ditë më parë në mjetin e tre të rinjve në Tiranë. 38-vjeçari është zbuluar nga Policia, pas komunikimit që kishte pasur me njërin prej të arrestuar në 'WhatsApp', Shkëlqim Ostreni.
Duke iu referuar bisedave raportohet se mbrëmjen e së enjtes ku antidroga arrestoi 3 të rinjtë, mes tyre Eneo Sulejmanaj, kreun e shoqatës së transportit ndërqytetas, mësohet se efektivi ka patur dijeni të plotë për personat dhe vendin ku do ndodhte shkëmbimi i lëndës narkotike. Shkurta lidhej me një numër anglez në aplikacionet celularë me të arrestuarit ku komunikonin për mallin dhe shumat e lekëve. Në një nga bisedat me njërin nga të arrestuarit Shkëlqim Ostreni, Shkurta zbulohet se intersohej për punën duke iu shkruar: Hë a mbaruat?
Mes të arrestuarve janë gjetur biseda edhe me një person tjetër me emrin “Visi i Pazarit”, i cili është shpallur në kërkim si i përfshirë në skemën e trafikut të drogës. Ndërkohë vijojnë kontrollet për gjetjen e celularit me numër anglez të Ervis Shkurtës.
Si ranë në pranga grupi i trafikut të drogës, ku përfshihej efektivi i Operacionales
Në një operacion policor antidroge të zhvilluar në Tiranë mbrëmjen e të enjtes 21 mars, u arrestuan Eneo Sulejmanaj, Shkëlqim Ostreni dhe Igli Begaj. Sulejmanaj rezulton që të jetë kreu i shoqatës së transportit ndërqytetas, ndërkohë që mbeti i plagosur gjatë operacionit, për shkak se rrezikoi jetën e efekivëve. Ai u qëllua nga një prej efektivëve me pistoletë në këmbë, dhe u dërgua në spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
/ZËRI