
ITALI- Shqiptari Ilirjan Minaj, 61 vjeç u vra me thikë nga fqinji i tij, Riccardo Stefani. Mediat italiane kanë hulumtuar më shumë lidhur me jetën dhe veprimtarinë e italianit 40-vjeçar, i cili njihej për sjelljet e tij problematike. Madje prej kohësh vuante dhe nga varësi të ndryshme. Për sjelljen e dhunshme të 40-vjeçarit, një shpjegim e ka pasur avokati i tij, i cili u shpreh se klienti i tij ka pasur edhe në të shkuarën probleme psikiatrike.
"Vetë reagimi i tij ndaj vrasjes është anormal. Nuk ishte mirë, nuk e kuptonte se çfarë kishte ndodhur dhe mohoi të kishte debatuar ndonjëherë me viktimën,”-bëri me dije për mediat vendase avokati i tij. Ngjarja e rëndë ndodhi në pallatin ku jetonte autori i dyshuar, në Bibbiano të Reggio Emilias. 61-vjeçari shqiptar, i cili në Itali jetonte prej 20 vitesh, kishte shkuar për të takuar mbesën, kur nëpër shkallë u hasi me fqinjin e saj. Aty takoi 40-vjeçarin, i cili e qëlloi me thikë në zemër. Britmat tërhoqën vëmendjen e familjarëve dhe fqinjëve në pallat që shkuan menjëherë për t'i dhënë ndihmën e parë viktimës, por nuk ia dolën që ta shpëtojnë.
Viktima me origjinë shqiptare njihej nga të gjithë si punëtor dhe njeri i mirë. Ai la pas gruan dhe një vajzë 19-vjeçare. Ndërsa për autorin, mediat italiane shkruajnë se ai është një person me rekorde kriminale. Idhulli i tij është vrasësi psikopat i luajtur nga De Niro në filmin “Cape Fear”, Max Cady. Siç duket, Stefani e adhuronte aq shumë këtë personazh saqë e kishte vendosur dhe si foto profili në Facebook.
Ai ishte zhvendosur në Bibbiano në tetor të vitit të shkuar dhe menjëherë kishte rënë në sy...për keq me aktet e tij të vandalizmit dhe bullizmit. Stefani u bërtiste fqinjëve nga dritarja, i trajtonte keq nëse kryqëzohej me ta, thyente shishet dhe i ofendonte, por kurrë nuk u vendos në pranga edhe pse ishte denoncuar nga e ëma për dhunë në familje. Por, po vetë e kishte tërhequr denoncimin nga dashuria për të birin./ZËRI