
GREQI- Greqia i ka vendosur tre kushte Shqipërisë për çështjen e Fredi Belerit, për të pranuar hapat e ardhshëm të anëtarësimit të saj në BE. Gazeta greke "Kathimerini" ka publikuar tre kushtet e menjëhershme që duhet të zbatojë Tirana në mënyrë që Greqia të pranojë hapat e ardhshëm në procesin e anëtarësimit të Shqipërisë në lidhje me çështjen Beleri. Kushtet përmbahen në një deklaratë me shkrim të depozituar dhe i janë bashkangjitur letrës së dërguar Tiranës dhe Shkupit nga 27 vendet e BE-së për hapjen e pesë kapitujve themelorë të negociatave.
Konkretisht, Greqia kërkon që kryetari i zgjedhur i Himarës, Fredi Beleri të marrë detyrën menjëherë, të respektohet e drejta e tij për një proces të drejtë si dhe prezumimi i pafajësisë. Media greke thekson se kjo deklaratë specifike me shkrim është tashmë qëndrimi zyrtar i Greqisë për procesin e anëtarësimit në BE dhe do të shoqërojë çdo hap të Shqipërisë.
“Për Greqinë, situata që mbizotëron bie ndesh me vlerat tona të përbashkëta evropiane, kriteret e anëtarësimit dhe të drejtën europiane, të cilat janë të panegociueshme”, thuhet në deklaratë. Aty theksohet edhe njëherë se çështja Beleri “përbën një shkelje flagrante të shtetit ligjor dhe të të drejtave politike të qytetarëve shqiptarë, veçanërisht të pjesëtarëve të pakicës etnike greke. Ndaj, Greqia nuk do të bjerë dakord për fazat e ardhshme të procesit të anëtarësimit, duke përfshirë miratimin e raportit të vlerësimit të standardeve të pazgjidhura.
Deklarata greke jep një historik të shkurtër të çështjes dhe thekson se në prag të zgjedhjeve të 14 majit, Beleri kishte qenë vazhdimisht në shënjestër të sulmeve të drejtpërdrejta verbale nga lidershipi politik shqiptar. Dhe me gjithë minimin e kandidaturës së tij, ai ishte një nga shtatë kandidatët e opozitës që arriti të zgjidhej në 61 bashkitë e vendit. Pala greke përfshin edhe dimensionin minoritar të çështjes, pasi akuzon Shqipërinë për praktikë diskriminuese “kundër një anëtari të një pakice etnike të mbrojtur nga e drejta ndërkombëtare”.
Në deklaratë thuhet se paraburgimi i Belerit pothuajse shtatë muaj pas zgjedhjes së tij bie në kundërshtim me ligjin shqiptar sipas të cilit është e qartë se marrja e detyrave nuk duhet të ndikohet nga procesi apo përfundimi i çështjeve të pazgjidhura, pasi është një akt i thjeshtë administrativ, i cili nuk cenon pavarësinë e gjyqësorit. Në vijim, arrihet në përfundimin se “parandalimi i betimit të kryebashkiakut të zgjedhur është një vendim politik i ndërgjegjshëm i qeverisë shqiptare, që pasqyron përbuzjen e saj ndaj parimeve themelore të shtetit të së drejtë“.
Beleri u arrestua dy ditë përpara zgjedhjeve vendore të 14 majit. Sipas prokurorisë, përgjimet e realizuara tregojnë se ai ka ofruar para në këmbim të votave në favor të tij. Beleri ka hedhur poshtë akuzat dhe ka thënë se ato kanë një sfond politik. Kërkesat e tij të herëpashershme për ndryshimin e masës së sigurisë janë refuzuar nga të gjitha shkallët e gjyqësorit deri tashmë.
Arrestimi i tij ka acaruar dukshëm marrëdhëniet mes Tiranës dhe Athinës. Kjo e fundit ka kërkuar lirimin e tij, me pretendimin se janë shkelur të drejtat e njeriut dhe ato të të pakicave, si dhe duke kërcënuar me bllokimin e rrugëtimit të Shqipërisë në procesin e anëtarësimit në Bashkimin europian. Zyrtarët grekë po e ngrenë këtë çështje në instanca të ndryshme ndërkombëtare. Ndërsa qeveria shqiptare pretendon se çështja nuk është politike, por është e gjitha e drejtësisë./Zëri.ai/