
TIRANË- Struktura e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka dhënë pretencën për ish-kryebashkiakun e Bulqizës, Lefter Allën. Në seancën e sotme gjyqësore, SPAK ka kërkuar 3 vite e 6 muaj burg për Allën, i cili akuzohet se ka ndërhyrë në një tender. Por Alla përfiton nga gjykimi i shkurtuar dhe do t'i ulet 1/3 e dënimit. Ndaj si përfundim, dënimi i tij është 2.4 vite. Pretenca është dhënë edhe për bashkëpunëtorët e tij (të cilët gjithashtu përfitojnë nga gjykimi i shkurtuar). Lefter Alla dhe zyrtarë të Bashkisë së Bulqizës akuzohen se kanë abuzuar lidhur me projektin e një ujësjellësi në Bulqizë me vlerë 322 milionë lekë.
PRETENCAT:
Lefter Alla- 3.6 vite burgim, me gjykim të shkurtuar 2.4 vite
Enkeleda Lleshi- 2 vite burgim (me gjykim të shkurtuar), për 5 vite mos ushtrojë funksione publike
Rubin Kola- 1.4 vite burg (me gjykim të shkurtuar) dhe mos të ushtrojë funksione publike
Arsen Gjoka- 1.4 vite burg (me gjykim të shkurtuar) dhe 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik
Kujtim Zogu- 1.4 vite burg (me gjykim të shkurtuar) dhe 5 vite të mos ushtrojë asnjë funksion publik
Erjon Isaku- 2.8 vite burgim (me gjykim të shkurtuar) dhe 5 vite mos ushtrojë funksione publike
Leonard Daci- 1.4 vite burgim (me gjykim të shkurtuar) dhe të mos ushtrojë funksione publike për 5 vite
Rasim Daci- 2.8 vite burgim (me gjykim të shkurtuar) dhe të mos ushtrojë për 3 vite detyrën e administratorit të personit juridik
Aqif Konesha- 1.6 vite burgim (me gjykim të shkurtuar) dhe për 3 vite të mos ushtrojë detyrën e administratorit e personit juridik
Dali Gazidedja- 1.2 vite burgim (me gjykim të shkurtuar)
Ndërsa për Ana Nishkun dhe Kastriot Ibrahimaj, çështja është veçuar nga të pandehurit e tjerë dhe po veprohet me gjykim të zakonshëm.
Lefter Alla u vu në pranga pasi ndaj tij rëndojnë dy akuza "shkelje të barazisë në tendera" dhe "shpërdorim të detyrës". Bashkë me Allën është vënë në pranga dhe nënkryetarja Enkelejda Lleshi dhe 11 të tjerë që janë identifikuar si: Rubin Kola, Erion Isaku, Leonard Daci, Arsen Gjoka, Kujtim Zogu, Denis Xholi, Rasim Daci, Dalo Gazidedja Aqif Konesha, Kastriot Ibrahimaj, Ana Nishku.
Këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin dyshohet se kanë kryer veprime të paligjshme në dhënien e një tenderi me vlerë 3 milionë euro për ndërtimin e një Ujësjellësi në qytetin e Bulqizës. Tenderi i bashkisë drejtuar nga Alla, u fitua nga një kompani "BOE England", e cila mendohet se u favorizua gjatë procedurës. Por punimet, u kryen nga një tjetër kompani, "OE 2AF Albania shpk", lidhje shoqërore e kryetarit të Bashkisë. Ndaj Lefter Allës, rëndon akuza “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” dhe “Shpërdorimi i detyrës”. Vepra penale “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike” rëndon ndaj Enkeleda Lleshit, Rubin Kolës, Arsen Gjokës, Leonard Daçit, Kujtim Zogut dhe Denis Xholit./ZËRI