BRUKSEL- Avokati i Mehmet S., një prej shqiptarëve që është marrë si i pandehur për gjyqin "Shqiponja e zezë", ka dalë sot para Gjykatës Penale të Brukselit. Sipas mediave të huaja, i pandehuri shqiptar (emri i plotë i të cilit ende nuk dihet) dyshohet se është pjesë e grupit kriminal që merret me trafikun e drogës nga vendet e Amerikës Latine drejt Belgjikës. Gjatë seancës, avokati i shqiptarit, Cédric Vergauwen kërkoi kryerjen e ekspertizës vokale dhe grafologjike për të shfajësuar klientin e tij, i cili pretendon se nuk ka qenë dërguesi i mesazheve në rrjetin e koduar "SkyECC". Kështu, ai kërkon që të analizohet mënyra sesi shkruan klienti i tij, nëse përputhet me mesazhet që janë dërguar në aplikacion.
"Klienti im gjithmonë ka mohuar se ka pasur lidhje me trafikun e drogës. Ai nuk është i njohur për Policinë. Nuk ka qenë objekt i ndonjë vëzhgimi apo përgjimi të drejtpërdrejtë në këtë rast dhe asnjë i pandehur tjetër nuk e përmend ekzistencën e tij si pjesë të grupit,"-tha avokati. Përveç telefonit, shqiptarit iu gjetën në banesë edhe disa dokumenta ku kishte me shkrim dore disa të dhëna që lidheshin me trafikun e drogës. Edhe në këtë rast, avokati kërkoi një ekspertizë për të vërtetuar se shkrimi ishte i klientit të tij.
Në këtë proces gjyqësor 40 persona akuzohen për pjesëmarrje në një organizatë kriminale aktive në trafikun e drogës. Hetimi, me emrin e koduar Black Eagle, nisi në shtator 2020 kur Policia zbuloi kanabis, aceton, por edhe një fuçi lëngu në të cilin ishte ekuivalenti i 600 kilogramëve kokainë, e cila ishte "holluar". Grup mendohet se drejtohej nga Bashkim Osmani nga Kosova, Artur Shehu dhe Arben I., identiteti i plotë i të cilit nuk dihet. Të lartpërmendurit konsiderohen ndër ‘lojtarët’ më të mëdhenj shqiptarë në tregun e kokainës. Nga mesazhet e tyrr janë zbuluar edhe lidhje me zyrtarë në Shqipëri, por detaje të tjera pritet të zbulohen në seancat në vijim./ZËRI