Aktualitet

Gjykata rrëzoi kërkesën e tij, Mediu: Duan të më bëjnë kokë turku, kam 16 vite që persekutohem

Mediu tha se dorëheqja e tij, që ishte një akt moral, tashmë është duke u keqpërdorur

E.K
Gjykata rrëzoi kërkesën e tij, Mediu: Duan të më
Fatmir Mediu

TIRANË- Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e ish-ministrit të Mbrojtjes, Fatmir Mediu, për riekspertim ekonomiko-financiar, në lidhje me shpërthimin e ndodhur në Gërdec. Në seancën e radhës do të thirren ekspertët për të debatuar aktin e përpiluar prej tyre. Seanca e radhës do të mbahet më 29 maj.

Përmes avokatëve të tij, Mediu pretendoi se akt-ekspertimi i paraqitur si provë nga SPAK ka probleme në formë dhe në përmbajtje. Sipas avokatëve, vendimi për akt-ekspertimin nuk i është bërë me dije Mediut, gjatë hetimit paraprak dhe ekspertët janë zgjedhur në mënyrë të njëanshme e në kushte të papajtueshmërisë ligjore.

Po sipas mbrojtësve, 4 nga 5 ekspertët kanë qenë nëpunës shtetërorë dhe pa licensimet përkatëse, ndërsa i pesti nuk kishte njohuri financiare. Ndërkohë gjatë fjalës së tij përpara mediave, Mediu tha se emri i tij po përdoret si kokë turku, dhe se ministri i mbrojtjes nuk ka pasur asnjë përgjegjësi ligjore për shpërthimin.

“Edhe sot u pa qartë se prej 16 vitesh vijon një persekutim politik për Fatmir Mediun. Sipas akuzës Fatmir Mediu duhet të dinte çdo gjë për Gërdecin, dorëheqja ime ishte një akt moral. Por nuk mund të keqpërdoret duke më bërë kokë turku. Ministri nuk ka lidhje me shpërthimin në Gërdec, këtë e ka pranuar vetë Gjykata.

Ministri akuzohet për shpërdorim detyre, nuk akuzohet për shpërthimin në Gërdec. Nuk është provuar asnjë dashje, asnjë përfitim personal, nuk është provuar asnjë dëm ekonomik për shkak të veprimeve të Ministrit të Mbrojtjes. Nëse do gjeni një kontakt timin, me këta që zhvillonin punën në Gërdec, unë do të merrja të gjithë përgjegjësinë ligjore. Nuk ka asnjë lidhje as ligjore dhe as shkakësore mes akuzës dhe asaj që ka pasur për detyrë ministri i mbrojtjes.  

Po ju them dhe një gjë të thjeshtë, KLSH ka bërë audit dhe nuk ka gjetur asnjë shkelje. Për çfarë më akuzon mua prokuroria? Unë nuk kam qenë inspektor tatimesh që të dija se kompania SAC kishte shmangur detyrimet tarimore. Pse nuk pranojnë këta që të bëhet një akt eskpertimi? E bëjnë se duan një kokë turku. Ministri firmos, urdhëri përpilohet nga stafi. Gjyqin politik e ka bërë politika, nëse SPAK ka ardhur te ideja e bilanceve të dënimeve politike, nuk mendoj se është drejtësi më. Kjo që kërkon SPAK në akuzë ndodh vetëm në juntat ushtarake”, u shpreh Mediu.

Ish-ministri i mbrojtjes kërkoi që seancat e tij të zhvillohen me praninë e medias, ndërsa tha se deri tani ka heshtur në respekt të familjarëve të viktimave. Me këta të fundit ka pasur sot një përballje, për shkak se gjatë seancës e quajtën vrasës.

/ZËRI 

Poll

MOS HUMB