Aktualitet

Gjykata la në burg Darmend Kelin: E sulmova i tronditur, nuk doja ta vrisja Amarildon

Darmend Keli u shfaq i prekur në sallën e gjyqit, ndërsa tha se nuk kishte njohje të mëparshme apo konflikte me viktimën

E.K
Gjykata la në burg Darmend Kelin: E sulmova i tronditur, nuk doja ta vrisja
Darmend Keli

TIRANË- Gjykata e Tiranës la sot nën masën e arrestit me burg, 25-vjeçarin Darmend Keli, i cili pasditen e të shtunës vrau me thikë 34-vjeçarin Amarildo Hoxhallari, për shkak se i ngacmoi të fejnuarën. Avokati i autorit, Arben Gramo kërkoi ulje të dënimit, dhe riklasifikimin e veprës penale duke thënë: “Të klasifikohet vrasje në kushtet e tronditjes së thellë”.

34-vjeçari Amarildo Hoxhallari u përplas fillimisht me fjalë me 25-vjeçarin Darmend Keli, i cili në gjaknxehtësi e sipër e goditi 4 herë me një thikë në gjoks dhe në këmbë. 34-vjeçari u dërgua menjëherë në spitalin e Traumës, por rreth 1 orë pas ngjarjes ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda. Gjykata la në burg edhe shokun e viktimës, shtetasin Ardi Marishta, i cili drejtonte mjetin në gjendje të dehur. 25-vjeçari ka shfaqur pendesë në sallën e gjyqit. Ai ka pretenduar se nuk kishte njohje me viktimën. Keli ka rrëfyer se rreth orës 18:30 kishte parë nga ballkoni Amarildo Hoxhallarin duke i ngacmuar vajzën me të cilën bashkëjetonte prej 3 vitesh.

“Nuk doja ta vrisja, as nuk e thërrita për të kryer ndonjë veprim të tillë. Zbrita nga banesa kur e pashë që ngacmonte bashkëshorten time. E pyeta se çfarë bënte, por ai përdori  një fjalor fyes dehe denigrues dhe më qëlloi me grusht. E kam kryer veprimin në kushtet e tronditjes së fortë psikologjike. E kam goditur disa herë në krah dhe pastaj kam ikur në shtëpi. Jam i penduar, nuk kam dashur ta vras”,-u shpreh Keli.

Pasi është përballur me të, ai pretendon se është fyer rëndë dhe qëlluar me grusht nga Hoxhallari, përpara se të përdorte thikën që kishte marrë nga banesa e tij për ta goditur sipas policisë dy herë në gjoks dhe 2 në këmbë./ZËRI 

Poll

MOS HUMB