TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar kërkesën e ish-presidentit Ilir Meta për t’u liruar nga qelia, duke lënë në fuqi vendimin e Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin (GJKKO). Rekursi u depozitua nga avokati i Metes me 3 nëntor, ku kerkohej ndryshimi i masës së sigurisë “arrest me burg”.
“Mospranimin e rekursit të kërkuesit/të pandehurit Ilir Metaj, kundër vendimit nr. 183 (87-2025-284), datë 08.09.2025 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin”, thuhet në njoftim.
Ndërkohë, po sot ishte parashikuar të mbahej seanca paraprake ndaj Metës, e cila u shty për në datën 5 dhjetor. Mësohet se seanca është shtyrë pasi Meta ka marrë një avokat të dytë dhe mbrojtësi ligjor do të njihet me aktet e dosjes.
Kreu i PL-së, Ilir Meta ndodhet në paraburgim që prej 21 tetorit të vitit të kaluar, pasi akuzohet nga SPAK për “korrupsion”, “shpërdorim të detyrës” dhe “fshehje e mosdeklarim të pasurisë”. SPAK mbylli hetimet më 28 korrik, ndërsa dosjen e kaloi për gjykim në fund të gushtit, e cila përfshiu tre hetime në një aferën CEZ-DIA, lobimin e LSI në SHBA dhe hetimin pasuror.
Ish-presidenti Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi janë marrë të pandehur nga SPAK për korrupsion, pastrim parash dhe mosdeklarim të pasurisë. Ilir Meta ndodhet në burg që prej 21 tetorit të kaluar, ndërsa Monika Kryemadhi është në masën e sigurisë “detyrim paraqitje”. Çifti tashmë i divorcuar ligjërisht akuzohet se kanë ushtruar pushtetin e tyre ndër vite për të përfituar pasuri në mënyrë të paligjshme, si dhe për fshehjen e burimit të këtyre pasurive, duke përfshirë edhe familjarët në skemat e dyshuara./ZËRI