
TIRANË- Gjykata e Lartë rrëzoi kërkesën e ish-zv/kryeministrit Arben Ahmetaj për të hequr sekuestron ndaj 4 apartamenteve dhe 2 llogarive bankare. Pasuritë në fjalë u sekuestruan me vendim të shkallës të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Arben Ahmetaj është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej 24 korrikut 2023. Ai akuzohet për tre akuza “mosdeklarim, deklarim të rremë dhe fshehje të pasurisë”, vetëm dhe në bashkëpunim, “Korrupsion pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” në gjashtë raste, “Pastrimit të produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale”. Bëhet fjalë një dosje voluminoze ku ai akuzohet se me veprimet apo mosveprimet e tij ka ndihmuar biznesmenët Klodian Zoto dhe Mirel Mërtiri të fitojnë projektet për inceneratorët e Fierit, Tiranës dhe Elbasanit./ZËRI