BRAZIL- Gjykata Supreme e Brazilit ka vendosur të mos pranojë kërkesën e mbrojtjes për lirimin e Ervin Matës, duke lënë në fuqi masën e arrestit me qëllim ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.
Vendimi, i firmosur më 21 korrik 2026 nga gjyqtari Alexandre de Moraes, vlerëson se masa e arrestit mbetet e domosdoshme për të garantuar zhvillimin e procedurës së ekstradimit dhe për të shmangur rrezikun e largimit të personit të kërkuar.
Sipas dokumentit gjyqësor, autoritetet shqiptare kanë dorëzuar në kohë dhe sipas procedurave ligjore kërkesën për ekstradimin e Matës. Gjykata ka marrë në konsideratë edhe qëndrimin e Prokurorisë së Përgjithshme të Brazilit, e cila është shprehur në favor të vazhdimit të procedurës dhe kundër lirimit të tij.
Gjithashtu, në vendim rrëzohen edhe pretendimet e mbrojtjes se Shqipëria kishte tejkaluar afatet procedurale për formalizimin e kërkesës së ekstradimit. Po ashtu, gjykata nuk ka pranuar kërkesën për zëvendësimin e paraburgimit me masa më të lehta sigurie, si dhe ka refuzuar zhvillimin e hetimeve shtesë të kërkuara nga avokatët e Matës.
Me këtë vendim, Mata do të vijojë të qëndrojë në paraburgim në Brazil, ndërsa procesi për shqyrtimin e kërkesës së Shqipërisë për ekstradimin e tij vazhdon. Vendimi i Gjykatës së Lartë Federale lidhet vetëm me masën e sigurisë gjatë procedurës së ekstradimit dhe nuk përbën një vendim mbi fajësinë ose pafajësinë e tij për akuzat e ngritura nga autoritetet shqiptare.
Mata u arrestua në prill të këtij viti, në një operacion policor në Ilhabela, në bregdetin verior të São Paulo, për llogari të autoriteteve në Gjermani, ndërsa kërkohet edhe nga Shqipëria. 39-vjeçari po pushonte në një lokal në qytetin e Sao Paolo, në një zonë turistike. Arrestimi në Ilhabela ndodhi pasi informacionet e inteligjencës treguan se Mata po udhëtonte drejt Bregut Verior. Gjatë monitorimit, policia identifikoi se ai kishte përdorur rrugë alternative, duke përfshirë udhëtimin me det për në Ilhabela.
Prej më shumë se dy vitesh, autoritetet shqiptare kishin vënë nën monitorim lëvizjet e Ervin Matës në disa vende të Amerikës Latine.
Sipas autoriteteve në Shqipëri, Mata ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar që në vitin 2023, ndërsa në vitin 2025 ishte firmosur edhe urdhri për arrestimin e tij me qëllim ekstradimin. Ai akuzohet për trafik ndërkombëtar droge, pjesëmarrje në organizatë kriminale dhe veprimtari të tjera të paligjshme. Mata dyshohet se ka koordinuar trafikimin e 240 kilogramëve kokainë në Frankfurt, në vitin 2020. /ZËRI
