SPANJË- Juxhin Drazhi është vendosur në pranga nga autoritetet spanjolle në Malaga. I shpallur në kërkim ndërkombëtar, i akuzuar si drejtues i një grupi të trafikut ndërkombëtar të drogës, Drazhi duket se kishte gjetur strehën e tij larg Shqipërisë por nuk shpëtoi. I riu është i njohur si pjesë e grupit kriminal të Elvis Doçit, alias “Visi i Pojës”. Ai u kap nga Garda Civile spanjolle në një vilë luksoze në Almuñécar, Granada, ku jetonte i izoluar dhe nën masa të rrepta sigurie për të shmangur identifikimin.
Hetimet nisën pasi policia mori informacione se anëtarë të një bande ndërkombëtare po strehoheshin në një pronë të izoluar. Nga vëzhgimet rezultoi se Drazhi nuk dilte nga vila dhe siguronte gjithçka përmes bashkëpunëtorëve. Shtëpia ishte në një terren të lartë, duke i dhënë mundësi të monitoronte zonën përreth dhe të parashikonte ndërhyrjet e mundshme të Policisë.
View this post on Instagram
Sipas autoriteteve, banda ishte e armatosur dhe konsiderohej shumë e rrezikshme. Gjatë operacionit, Drazhi tentoi t’i shpëtonte arrestimit duke u larguar me vrap përmes shpatit të malit, por u neutralizua nga forcat e rendit. Pasi e vendosën në pranga, gjatë kontrollit, Policia spanjolle gjeti dokumente të falsifikuara, sende luksoze, përfshirë një orë me vlerë të madhe, si dhe një armë zjarri me dy karikatorë, trembëdhjetë fishekë dhe një silenciator, të fshehura në zonën ku ai kishte tentuar të arratisej.
Anëtarët e kësaj bande krenoheshin se mbanin armë zjarri, dhe Drazhi madje kishte edhe një eskortë, kështu që ata konsideroheshin shumë të rrezikshëm dhe në rrezik të lartë arratisjeje dhe rezistencë të mundshme të armatosur ndaj arrestimit.
NJOFTIMI I POLICISË SHQIPTARE:
Policia e Shtetit
Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The ëanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Shkëmbimi në kohë i informacionit mes Interpol Tiranës dhe Interpol Madridit vë në pranga një shtetas të kërkuar për veprimtari kriminale në fushën e narkotikëve. Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Madridin dhe policinë spanjolle, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The ëanted”, u krye arrestimi në Spanjë, me qëllim ekstradimin drejt vendit tonë, i shtetasit shqiptar J. D., 34 vjeç.
Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, Tiranë, në prill 2025, i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale “Trafikim i lëndëve narkotike”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”. Interpol Tirana, në bashkëpunim me Interpol Madrid/Spanjë, vijon bashkëpunimin për finalizimin e ekstradimit të këtij shtetasi drejt vendit tonë./ZËRI