
TIRANË- Prokuroria e Durrësit ka mbyllur hetimet për ish-drejtuesin e Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Petrit Fusha, i cili akuzohet për fshehje të pasurisë.
Hetimet ndaj Fushës nisën pas referimit nga Komisioni i Pavarur i Kualifikimit dhe materialet e marra nga Inspektorati i Lartë i Kontrollit dhe Deklarimit të Pasurive e Konfliktit të Interesit, ILDKPKI.
Ish-prokurori u hetua për fshehje të resortit “Mai Tai” në periferi të Tiranës.
Hetimet ndaj Fushës kanë filluar në Prokurorinë e Durrësit në vitin 2020, pasi disa kallëzime ndaj tij dhe subjekteve të tjera u referuan për kompetencë në këtë prokurori nga SPAK.
Petrit Fusha pati një karrierë të shtrirë në tre dekada si prokuror dhe drejtues i Prokurorisë së Tiranës përpara se të jepte dorëheqjen në vitin 2019, gjatë procesit të vetingut.
Komisioni i Pavarur i Kualifikimit njoftoi se dorëheqja e Fushës u bë pasi atij i kishte kaluar barra e provës. Nga raporti i DSIK-së rezultoi se Fusha nuk e kishte deklaruan përfshirjen në veprimtari të krimit të organizuar të vëllait.
Fusha drejton sot studion ligjore “Fusha & Partners” me aktivitet avokatinë dhe konsulencën, por edhe hotelerinë, turizmin dhe administrimin e pronave të familjes.