
FIER- Prej pasditës së sotme Fieri vijon të jetë nën 'pushtetin" e flakëve që kanë përfshirë zonën e Ballshit dhe të Patozit. Në këtë të fundit situata nga zjarret është më e rëndë ndërkohë që ndërprerja e energjisë ka shkaktuar vështirësi në mbushjen e zjarrfikëseve me ujë. Në vendin e ngjarjes ka mbërritur dhe prefekti i qarkut Lefter Shehaj.
Ky i fundit ka deklaruar se kemi të bëjmë me një situatë alarmante dhe se flakët kanë dalë jashtë kontrollit. Në ndihmë të zjarrfikësve të Fierit kanë shkuar dhe ato nga Vlora e Berati. Sipas autoriteteve deri më tani nuk kemi banesa të rrezikuara por rreziku mbetet i lartë për shkak se flakët të favorizuara dhe nga era po përhapen me shpejtësi në të gjithë perimetrin.
Lefter Shehaj: Situata sikurse e shikoni edhe vetë ka një përhapje të ekzagjeruar të zjarrit. Një sipërfaqe të përhapur të vështirë për të ndërhyrë me mjete dhe forca, edhe për arsye të terrenit. Po adresojmë forcat zjarrfikëset sipas prioriteteve, duke siguruar më parë mbrojtjen e banesave. Aktualisht kemi arritur ta disiplinojmë zjarrin rreth banesave, duke ruajtur banesat dhe banorët që rrezikoheshin. Forcat zjarrfikëse janë përhapur sipas perimetrit të zjarrit dhe po monitorojmë dhe izolojmë vatrat. Aktualisht kemi aktivizuar forcat dhe mjetet zjarrfikëse jo vetëm nga qarku i Fierit, por edhe zona të tjera si qarku i Vlorës dhe Beratit. Nga qarku i Beratit kemi forca zjarrfikëse të ardhura nga Bashkia Berat, Dimal, Kuçovë. Përveç kapaciteteve tona në ndihmë kanë ardhur edhe forca zjarrfikëse të Bengersit dhe Albpetrolit.
Ndërsa në Ballsh momentalisht kemi të bëjmë me një situatë më të qetë. Po ashtu në Darëzezë situata duket nën kontroll. Ndërkohë situatë e rëndë paraqitet dhe në zonën e Vlorës për shkak të zjarreve. Konkretisht në bypass-in e Vlorës. Deri më tani 12 makina zjarrfikëse janë në vendin e ngjarjes dhe po punojnë për shuarjen e flakëve./Zëri