
SARANDË-Fermerët e jugut po vazhdojnë protestën e tyre pas problematikave të rënda që po hasin në mbijetesën e tyre, pasi tregu është mbuluar nga malli serb. Fermerët e zonës së Gjirokastrës Sarandës dhe Delvinës janë grumbulluar ditën e sotme për të protestuar në urën e Gajdarit, në hyrje të Sarandës, ku janë shprehur se kjo është një qeveri, e cila po kryen një tradhti kombëtare pasi blegtoria është pasuri kombëtare.
Kërkesat e blegtorëve në protestën e sotme kanë qenë: barazim të subvencioneve me vendet e rajonit, certifikimin e produkteve të mishit Made in Albania, investime në përmirësimin e kullotave dhe lerave, subvensione për çdo kokë bagëti, pavarësisht numrit që kanë fermerët.
"Ne jemi të shkatërruar. Do të përshkallëzojmë protestën pasi kemi tre javë që presim një përgjigje nga qeveria. Subvencionet të na bëhen sa janë në vendet e rajonit, këtu dominon malli serb dhe gruri mbetet rrugëve. Informalitetin ta luftojë ministrja, ku është informaliteti jonë se prodhojmë qumësht bio. Ministrja ka një dyzinë me burokratë në zyra, t'i nxjerrë në rrugë dhe të verifikojnë situatën në terren, ata janë të paaftë, mos ta kërkojnë nga ne zgjidhjen. Ne nuk arrijmë dot Kosovën, pasi subvencionet janë 12-fishi më i lartë sa ne. Këta janë tradhtarë, ata kërkojnë të zhdukin blektorinë, duan të na zhdukin dhe të na zëvendësojnë me afrikanë"- deklaroi për mediat një nga fermerët.