
KORÇË – Molla në Zvirinë, që ka mbetur stok, ka detyruar fermerët që të dalin në protestë gjatë mëngjesit të sotëm. Dhjetëra fermerë kanë dalë në kryqëzimin e fshatit Zvirinë, në aksin nacional që lidh Korçën me Pogradecin.

Fermerët në Zvirinë shprehen se molla e tyre ka mbetur pa shitur, për shkak të hyrjes në vendin tonë të mollës së importit, kryesisht nga Serbia. Në këtë protestë, e lajmëruar më herët, ka edhe forca të policisë, që janë pozicionuar në këtë aks rrugor, për të kontrolluar situatën.
Jo pak, por rreth 15 ton mollë kanë mbetur pa shitur, në frigoriferët e juglindjes së vendit. Shkak për situatën, sipas grumbulluesve të mëdhenj, është grumbullimi i bërë me çmim të lartë në sezon dhe hyrja e mollës nga importi.
Kujtojmë se një sërë protestash janë mbajtur në vendin tonë, kryesisht në jug, nga fermerët dhe blegtorët. Qindra blegtorë në Vlorë protestuan për çmimin e qumështit. Ata u shprehën se çmimi nuk i mbulon kostot e shpenzimeve të tyre e as nuk justifikon punën e bërë.
Ndërsa, blegtorët nga Tepelena, Përmeti, Saranda, Delvina, Gjirokastra, u mblodhën në urën e Kardhiqit për të zhvilluar protestë. Ata thanë se ulja e çmimit ka sjellë një krizë të thellë financiare për blegtoret, duke i detyruar disa prej tyre të mbyllin bizneset e tyre.
Protëstë nga fermerët u zhvillua edhe në Fier. Ata kanë bllokuar rrugën në Levan-Vlorë. Blegtorët u shprehën se fabrikat e përpunimit të qumështit kërkojnë t'ua marrin atë me çmimin më të ulët dhe e kundërshtojnë.
Ndërkaq, disa ditë më parë, dhjetëra blegtorë të rretheve të jugut kanë bllokuar sërish rrugën nacionale që lidh Kardhiqin me Delvinën. Ata kanë protestuar në hyrje të aksit nacional, tek Ura e Kardhiqit. Protestuesit kanë përsëritur kërkesat e tyre, duke u shprehur se sektori ka problematika të shumta, që lidhen me çmimet e produkteve blegtorale, subvencionet që nuk mjaftojnë, kufizimi i kullotave dhe kërkesat që kanë të bëjnë me kontratat e shitjes së mishit. Blegtorët thanë se situata po kërcënon mbijetesën e sektorit dhe të industrisë ushqimore në vendin tonë./ZËRI/