Aktualitet

Fatmir Mediu- I PADËNUARI I MADH që kërkon të strehohet nën petkun e deputetit

Fatmir Mediu ka sot vetëm një përballje, në gjyq me Zamira Durdën, e cila ka deklaruar se edhe është kërcënuar nga ish-ministri gjatë sencave, pasi përballjen me votëbesimin e qytetarëve, ia shmangu aleati i tij i vjetër, kryedemokrati Sali Berisha, duke e vënë në listën e mbyllur si kandidat për deputet në Tiranë.

F.m
Fatmir Mediu- I PADËNUARI I MADH që kërkon të strehohet
Fatmir Mediu

TIRANË- Kanë kaluar 17 vite dhe e vetmja gjë që kanë parë njerëzit që humbën të dashurit e tyre në Tragjedinë e Gërdecit është detyrimi monetar me vendim të Gjykatës së Strasburgut.

Historia e Gërdecit

Ishte data 15 mars, viti 2008 dhe ora shënonte 12:05, kur një shpërthim i fuqishëm në ambientet e ish “Brigadës së Tankeve”, në fshatin Gërdec, në Tiranë, ku ushtronte aktivitetin e çmilitarizimit dhe çmontimit të municioneve luftarake shoqëria “Albademil” sh.p.k., tronditi të gjithë vendin.

Ekranet transmetonin njëri pas tjetrit vdekjen e 26 personave, gjymtimin e 27 të tjerëve dhe plagosjen apo dëmtimin lehtë të mbi 200 qytetarëve.

Dëmet materiale ishin gjëja më pak e rëndësishme që u renditën në atë kohë. Ditët më vonë shënuan dhe ardhjen e mediave kryesore ndërkombëtare në vendin tonë, të cilat u pozicionuan kryesisht pranë spitaleve, që ishin të mbushur me njerëz të gjymtuar, djegur e dëmtuar nga copëzat e xhamave dhe jo vetëm.

Tre ditë pas kësaj tragjedie, erdhi dhe vendimi i qeverisë që në atë kohë drejtohej nga kryeministri Sali Berisha, i cili datën 18 mars e shpalli ditë zie kombëtare.

Dhe që nga ai moment, qytetarët mbushën rrugët me protesta masive dhe kërkonin drejtësi…drejtësi që nuk është vulosur ende sot, 17 vite pas datës që ka mbetur e shënjuar në mendjen e shumë qytetarëve si data që u mori nga krahët njerëzit më të dashur, të cilët ende nuk prehen të qetë në mungesë të një vendimi të drejtësisë.

Gjyqi i parë

Për këtë tragjedi prokuroria dërgoi 28 të pandehur në gjykatë, mes tyre edhe Mihal Delijorgjin, president i shoqërisë “Albademil”, Ylli Pinarin, drejtor i kompanisë MEICO dhe Dritan Minxholli, administrator i fabrikës, të cilët janë liruar nga burgu pas kryerjes së dënimeve përkatëse.

Ministri i Mbrojtjes së asaj kohe, Fatmir Mediu dha dorëheqjen, por kur kanë kaluar thuajse dy dekada, vijon të jetë aktiv në jetën politike në vend me “Partinë Republikane”.

Më 18 mars, policia arrestoi presidentin e firmës Albdemil që merrej me çmontimin e municioneve Mihal Delijorgji, drejtorin e kompanisë Meiko, Ylli Pinarin dhe shefin teknik të fabrikës në Gërdec, Dritan Minxhollin. 3 të arrestuarit së bashku me shefin e sigurisë fizike të kompanisë Meiko, Agim Vranjën u shoqëruan prej mbrëmjes së shkuar në polici, për t’u marrë në pyetje në cilësinë e personave që kanë dijeni.

Madje në atë kohë, Delijorgji pranoi se ngjarje mund të ishte shkaktuar për shkak të vjetërsisë së pajsjeve.

“Edhe mund të ketë ndodhur nga vetvetiu në kuptimin e fjalës, në momentin që është hapur një arkë, a më kupton mund të ketë ndodhur zjarri, ose shpërthimi nga puna e vjetërsisë,”- thoshte ai në një prononcim për gazetarin Blendi Fevziu.

Vitet kaluan dhe të arrestuarit u liruan njëri pas tjetrit.

Mihal Delijorgji u lirua në vitin 2013. Delijorgji la qelinë e burgut të Vaqarrit, pas vendimit të marrë nga Gjykata e Tiranës, që i uli 70 ditë nga dënimi prej 3 muajsh, që i kishte mbetur. Në një prononcim për mediat, pronari i firmës “Albademil” pranoi se ishte liruar, ndërsa ai kërkoi liri me kusht, me argumentin se i ka mbetur vetëm pak kohë nga përfundimi i dënimit. Ylli Pinari, ish-drejtori i ndërmarrjes shtetërore "MEICO" ishte dënuar me 15 vite burg për tragjedinë por u lirua në vitin 2014 nga gjyqtari Petrit Çomo me argumentin se kishte shlyer 2/3 e dënimit.

Një vit më vonë ishte radha e Dritan Minxollit. Ish-­drejtori i ‘fabrikës së vdekjes’ u lirua me kusht. Kjo, pasi një vendimi të gjykatësit Petrit Çomo, sipas së cilit ai ka sjellje të mirë në burg, por ndërkohë ka firmosur një kontratë pune me një kompani, si menaxher shitjesh, duke siguruar në këtë mënyrë të ardhurat për familjen.

Këto vendime është konsideruan si një vrasje e dytë për familjarët e viktimave të kësaj tragjedie.

“Nga arresti i shtëpisë dalin të lirë tani se u bënë 5 vjet dhe këto llogariten. Ishte shumë turp për gjykatën, për vetë këtë trup gjykues që u tregua kaq i padrejtë me këta viktima që mori guximin përsëri dhe godet mbi kufoma. Ky trup gjykues godet mbi kufoma, ata të vdekur janë, të mbaruar”, tha Zamira Durda në A1Report.

E njëjta grua endet ende sot në dyert e Gjykatave. E vetmja gjë që ka ndryshuar nga ajo kohë është fakti që zonja Durda ka shumë më tepër thinja në kokë dhe se dera në të cilën ajo paraqitet nuk është më ajo e Gjykatës së Tiranë, por ajo e Prokurorisë së Posaçme, një prej institucioneve të drejtësisë së re që ka goditur majtas e djathtas, por që rrezikun e saj nuk e kandjerë ende ish-ministri Fatmir Mediu.

Zhvillimet ndër vite për çështjen e Gërdecit kanë qenë të shumta, që nga regjistrimi telefonik që kishte Kosta Trebicka me Efraim E. Diverolin, të cilën ia kishte dorëzuar autoriteteve kompetente Amerikane e deri tek rrëfimet e David Packouz, ortaku i Efraim Diverolit, me të cilin fitoi marrëveshjen 300 milionë dollarëshe nga Pentagoni për të siguruar municione nga Shqipëria.

Në regjistrimin vokal midis z. Trebicka dhe z. Deviroli, ky i fundit ankohet duke thënë se:

“Puna shkoi shumë lart, deri te kryeministri dhe djali i tij. – tha ai, - Unë nuk mund ta luftojë këtë mafie. Është shumë e madhe. Kafshët kanë dalë fare nga kontrolli.” 

Edhe Packouz përfshin emrin e ish-kryeministrit Sali Beriha, Shkëlzen Berisha dhe shprehet se Efraim Deviroli e siguroi kontratën nëpërmjet Mihal Delijorgjit, të cilin e takoi së bashku me Shkëlzen Berishën.

Ndër të tjera Packouz flet edhe për biznesmenin Kosta Trebicka, i cili pas tragjedisë së Gërdecit denoncoi aferën, por fill më pas humbi jetën në një aksidenti, sipas tij të dyshimtë, në qarkun e Korçës.

Një tjetër detaj që lidh Delijorgjin me familjenBerisha kanë qenë dhe tabulatet telefonike që janë publikuar. 30 minuta pas ndodhjes së tragjedisë, Delijorgji ka folur me bashkëshorten e tij, kunatin e tij, Ylli Pinari dhe Shkëlzen Berishën.  

Ndërsa Fatmir Mediu, jo vetëm që nuk u arrestua kurrë, por as nuk është ‘dëmtuar’ deri më tani nga institucionet e drejtësisë.

Edhe dorëheqjen, nuk e pa si veprim që pranonte ‘fajin’ mbi tragjedinë që mori jetë njerëzish.   Ai nuk ka pranuar kurrë se kishte përgjegjësi për shpërthimin ose ndonjë lidhje korruptive në tregtinë e armëve dhe u shpreh se dorëheqja nga posti ministror ishte një “...përgjegjësi morale.”

4 vite zvarritje në Gjykatë

Rihapja e çështjes ndaj Mediut u vu në lëvizje pas 12 vitesh me iniciativën e familjes Dursa. Sipas kërkuesve dhe SPAK, pas ndryshimeve ligjore të vitit 2012 dhe 2017, deputeti nuk ka më imunitet parlamentar për ndjekjen penale apo gjykimin e tij dhe për rrjedhojë nuk ekziston me asnjë pengesë për hetimin dhe gjykimin e Mediut, i cili akuzohet për “shpërdorim detyre”.

Mirë, edhe pse çështja u rihap dhe Mediu është marrë i pandehur, ai vetë nuk ka pranuar të deklarohet dhe seancat zvarriten njëra pas tjetrës për arsye të çfarëdoshme. Seanca e fundit është mbajtur më datë 4 mars dhe u vendos të shtyhet për në datë 18 mars për shkak të kërkesës së prokurorëve Arben Kraja dhe Klodian Braho, të cilët duhej të merrnin pjesë në procese të tjera gjyqësore dhe nuk do të ishin të pranishëm në sallë.

Ish-Ministri i Mbrojtjes kundërshtoi gjetjet e ekspertëve ushtarakë në lidhje me masat që duhej të merreshin për demontimin e municioneve në Gërdec. Mediu dhe mbrojtja e tij kishin përgatitur një material prej 147 faqesh, përmes të cilit kundërshtonin gjetjet e ekspertëve.

Ata kanë kërkuar riekspertim pjesor për kostot e dëmit financiar të shkaktuar në Fabrikë gjë që është refuzuar nga GJKKO.

SPAK deklaron nga akti i ekspertimit financiar dalin dëmet e shkaktuara nga veprimet dhe mosveprimet e Mediut, gjë që sipas organit të akuzës provon shpërdorimin e detyrës prej tij.

Por, edhe këto pretendime janë kundërshtuar nga Mediu.

Fatmir Mediu ka sot vetëm një përballje, në gjyq me Zamira Durdën, e cila ka deklaruar se edhe është kërcënuar nga ish-ministri gjatë sencave, pasi përballjen me votëbesimin e qytetarëve, ia shmangu aleati i tij i vjetër, kryedemokrati Sali Berisha, duke e vënë në listën e mbyllur si kandidat për deputet në Tiranë./ZËRI/

Poll

MOS HUMB