TIRANË- Një pistë e re është duke u verifikuar nga grupi hetimor lidhur me të shtënat me armë të raportuara nga ZËRI mbrëmjen e së dielës në Palasë. Burime pranë hetimeve bëjnë me dije se përveç mundësisë që të shtënat të jenë kryer nga personat që ndodheshin në bord, hetuesit po verifikojnë nëse të shtënat mund të kenë ndodhur gjatë kohës që mjeti ishte në lundrim apo edhe mjete të tjera lundruese që ndodheshin pranë tij.
Jahti, në pronësi të Bruno Çelës, djalit të biznesenit Geront Çela, pronar i kompanisë "Brunes", kishte mbërritur nga Italia pak momente para alarmit për të shtënat. Pas incidentit, burime bëjnë me dije se Policia Kufitare e Vlorës regjistroi hyrjen e mjetit në territorin shqiptar dhe identifikoi të gjithë personat që ndodheshin në bord.
Pas ndjekjes që zgjati për rreth 2 orë dhe ndalimit të jahtit pranë Himarës, gjatë kontrollit të kryer në bord dhe ndaj personave që ndodheshin në të, nuk u gjet asnjë armë zjarri apo send tjetër i paligjshëm. Por, dyshimet janë shtuar edhe për shkak të veprimeve të personave në bord gjatë ndjekjes, pasi ata tentuan fillimisht të largoheshin me gomone dhe më pas fikën dritat e jahtit. Këto rrethana po verifikohen në kuadër të hetimit për të përcaktuar nëse të shtënat kanë ardhur nga jahti apo nga një tjetër mjet lundrues në afërsi të tij.
Në bordin e jahtit ndodheshin Bruno Çela, djali i biznesmenit Geront Çela, pronar i “Brunes Group”, si dhe Pashk Gjini, i njohur me nofkën “El Chapo shqiptar”, së bashku me Leonard Hasa dhe Afrim Kastrati. Të katër të ndaluar kanë mohuar që të kenë qëlluar me armë zjarri (pistoletë). Megjithatë, hetuesit u kanë marrë mostra nga duart për ekspertizën e mbetjeve të barutit, ndërsa rezultatet pritet të përcaktojnë nëse ndonjëri prej tyre ka përdorur armë zjarri./ZËRI