Aktualitet

Çështja "Babale"/ Shtyhet sërish seanca ndaj deputetit Ervin Salianji

Kësaj herë shtyrja është vendosur pasi deputeti Salianji ka zgjedhur që të përfaqësohet nga dy avokatë të tjerë, Redi Ramaj dhe Marash Logu.

k.m.
Çështja "Babale"/ Shtyhet sërish seanca ndaj
Ervin Salianji

TIRANË- Shtyhet sërish seanca në Apel ndaj deputetit të Partisë Demokratike, Ervin Salianji. Kësaj herë shtyrja është vendosur pasi deputeti Salianji nuk u paraqit personalisht në seancë, por edhe sepse avokati i tij zgjodhi që të përfaqësohej nga dy avokatë të tjerë, Redi Ramaj dhe Marash Logu. 

"Dje jemi kontaktuar nga Salianji dhe duam kohë nga gjykata të njihemi me dosjen,”- tha avokati Ramaj.

Kështu që seanca e radhës është vendosur që të mbahet më 25 korrik në orën 10:00.

Salianji është shpallur fajtor për veprën penale ‘kallëzim i rremë’ në lidhje me çështjen “Babale” dhe u dënua me një vit burg nga Gjykata e Shkallës së Parë, dënim të cilin ai e cilëson si politik.

Ç’është dosja Babale?

Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike. E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin “Babale”. Në përgjimet e publikuara por edhe në të tjera që Prokuroria dispononte, Alizoti komunikonte me asokohe shefin e Polisisë së Fierit, Albert Nushin (emri i del edhe tek vrasja e Pjerin Xhuvanit) për shpërblime/pako që duhet të merrte, e gjithashtu flitej edhe për një “shef të madh”. Ekspertët e huaj vlerësuan se zëri në përgjime ishte i ngjashëm me atë të Geron Xhafës. Por ekspertiza nuk mund ta thoshte me siguri për shkak të cilësisë së audio-regjistrimit.

Për dosjen, Salianji u dënua me 1 vit burg dhënë nga Gjykata e Tiranës në dhjetor të vitit 2019, pasi u shpall fajtor për akuzën e “kallëzimit të rremë”. Ndonëse u dënua me burg, ai nuk shkoi ne qeli, pasi u hetua dhe gjykua pa mase sigurie. Vendimi i Shkallës së Parë për 100 orë punë në interes të publikut është ankimuar edhe nga i bashkëpandehuri në këtë çështje, gazetari Jetmir Olldashi./ZËRI

Poll

MOS HUMB