
TIRANË- Nuk ka qenë një ditë e lehtë ajo e djeshmja për Ervin Salianjin, i cili u dënua nga Gjykata e Apelit me 1 vit burg, duke i djegur në këtë mënyrë dhe karrierën e tij politike. Ky dënim, përveçse i ndërpret mandatin aktual të deputetit, e pengon Salianjin që të mbajë poste publike në 5 vitet e ardhshme. Ky moment i vështirë në rrugëtimin e tij politik, duket se ka lëkundur edhe moderatoren dhe ish-politikanen Grida Duma, e cila për herë të parë duket se ka pranuar raportin e saj intim me Salianjin. Që në nisje të emisionit, Duma u shpreh se Salianji është bashkëudhëtar i saj, dhe se ajo ia njeh shumë mirë rrugëtimin dhe profilin politik që ai ka krijuar në gjithë këto vite.
"Ervin Salianji është një bashkërrugëtar i imi. Thënë këtë me qartësinë e të qenurit gjithmonë e vërtetë në këtë format ku jam autore, mund të them që si bashkërrugëtar timin, e di fare mirë sesi ka zgjedhur ta krijojë identitetin dhe profilin e vetë politik", u shpreh Duma, e cila vijoi duke thënë se Salianji në gjithë këto vite është përballur me 50 seanca gjyqësore.
Ndërsa vijoi: "Një zë denoncues, një zë i cili ka krijuar figurën, denoncimin, identitetin dhe plot lëvizje të tjera të cilat sigurisht rrugëtimi i tij do ta provojë nëse vlenin në këtë nivel ose jo, dhe sesi do ta përballë ai këtë situatë.
Por identitet i krijuar nëpërmjet denoncimeve edhe atëherë kur PD që unë e njoh mirë, ka pasur dyshime nëse duhen kryer këto denoncime për shkak të forcës dhe për shkak të qartësisë se ku çonte përkundrejt një pushteti që sipas PD i kishte të gjitha të dhënat të ishte e dhunshme lufta me kundërshtarin".
Ndërkohë që edhe gjatë diskutimit më herët me Lorenc Vangjelin, Duma tha se çështjen “Babale” e njeh shumë mirë, duke e provuar në lëkurën e saj.
Vangjeli: Zëri në audiopërgjim ishte i dobët sepse nuk u dorëzua në asnjë moment në Prokurori pajisja origjinale që ka bërë përgjimin.
Grida Duma: Nuk është e vërtetë, sepse ti e di që unë e njoh çështjen
Vangjeli: Po është
Grida Duma: Më dëgjo ti dhe kushdo tjetër. Do ta ngrejë zërin për një arsye, sepse në këtë vend etika nuk respektohet. Unë këtë çështje e njoh si lëkura ime, për shumë arsye. Mos shkoni deri aty sa të mos jem etike t’ju them me sa detaje e njoh
Vangjeli: Nuk e vë në dyshim që e njihni.
Grida Duma: Po e njoh shumë mirë, dhe mos guxoni ta thoni, se kam qenë sekretare e marrëdhënieve me publikun në atë moment. Është dërguar nga PD aty 100 herë. Në dosjen e Prokurorisë shkruhet që ‘zëri mund të jetë i ngjashëm me Geronin dhe Fred Alizotin’, pra mundet, dhe çështja nuk është që nuk ka shkuar zëri.
Vangjeli: Pajisja origjinale thashë…
Grida Duma: Ajo pajisje që ka ardhur në PD, dhe këtu skam nevojë për Ervin Salianjin të ma thotë, e di unë si dëshmitar i parë me Lulzim Bashën që ka shkruar në Prokurori./ZËRI