
LEZHË- Isuf Kadriu, korrespondent i Radios Evropa e Lirë në Shkup, ka vdekur papritur në moshën 52-vjeçare. Kadriu kishte ardhur me pushime në Shqipëri. Ai po pushonte në Shëngjin bashkë me familjen, kur mesditë ne sotme ka pësuar një sulm kardiak. Ai është dërguar në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore, por ishte e kotë.
Kadriu ka raportuar për REL-in, prej Shkupit, prej vitit 2001, dhe është një nga emrat më të shquar në redaksinë e Radios Evropa e Lirë. Prej vitit 2008, ai ka qenë edhe zëvendëskryeredaktor në mediumin Alsat në Maqedoni të Veriut.
Shkollimin e mesëm e ka mbaruar në gjimnazin e Gjilanit, ndërsa studimet për gazetari në Universitetin e Tiranës, si njëri ndër gazetarët e parë të diplomuar nga Maqedonia e Veriut. Ai e ka nisur karrierën më 1998 në Televizionin Era, ndërsa nga viti 1999 deri më 2008 ka punuar në Televizionin e Maqedonisë së Veriut, në programin për gjuhën shqipe.
“Kolegu Isuf Kadriu do të mbahet mend në memorien e historisë së gazetarisë së një kontribuues për dinamizimin e gazetarisë, si një promovues i ndjekjes objektive të ngjarjeve dhe si një shtjellues profesional i çështjeve dhe dukurive politike dhe shoqërore. Të gjitha këto përpjekje profesionale i bënte gjithmonë duke respektuar parimin e punës ekipore dhe respektimin e standardeve profesionale dhe normave etike”, është thënë në reagimin e kolegëve të Alsat-it.
Ai la pas vetes gruan dhe tre fëmijë.