
TIRANË- Katër persona janë arrestuat si pjesë e një grupi kriminal, i cili kryente vjedhje në Tiranë dhe në Durërs. Në pranga të Policisë kanë rënë Donald Subashi, Denis Marku, Elvis Muça dhe Artur Lama. Autoritetet bëjnë me dije se ata kryenin vjedhje të ndryshme si automjete, mjete lundruese, banesa dhe tabakino.
Mësohet se ata janë arrestuar për 4 vjedhje të kryera në Sukth, në fshatin Bilalas dhe në Mullet, Tiranë. Grupi hetimor po vijon punën për dokumentin e një sërë vjedhjesh të tjera që dyshohet se janë kryer nga ky grup.
“Në zbatim të planit të masave të hartuar nga Drejtoria Vendore e Policisë Durrës, për marrjen e masave me qëllim parandalimin e vjedhjeve, zbardhjen e atyre të ndodhura më parë si dhe identifikimin dhe kapjen e autorëve, shërbimet e Komisariatit të Policisë Shijak bazuar dhe në informacionet e siguruara në rrugë operative për një grup që kryente vjedhje në qarkun e Durrësit, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Theft network”.
Në kuadër të operacionit u bë kapja dhe arrestimi i shtetasve:
D.S., 26 vjeç, banues në Marikaj;
D.M.,18 vjeç, banues në Shkodër;
E.M., 38 vjeç, banues në Mamurras;
A.L., 48 vjeç, banues në Mamurras.
Si dhe u bë shpallja në kërkim dhe vijon puna për kapjen e shtetasit E.Z., 49 vjeç, banues në Tiranë. Si rezultat i veprimeve hetimore u bë e mundur zbardhja dhe dokumentimi me prova ligjore i ngjarjeve si më poshtë:
Vjedhja e mjetit lundrues skaf e shtetasit S. K., në Sukth;
Vjedhja në tabakinon e shtetasit R. V., në fshatin Bilalas;
Vjedhja e dy automjeteve e konkretisht furgon dhe kamionçinë, të vjedhura në Mullet Tiranë më datë 13.02.2025.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një mjet lundrues, një automjet kamionçinë, rrobat e përdorura nga personat e dyshuar në vjedhjen e tabakinos së shtetasit R. V., dhe katër aparate celularë.
Vijojnë veprimet hetimore për dokumentin ligjor të vjedhjeve të tjera të kryera nga këta shtetas.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprën penale "Vjedhja” e kryer në bashkëpunim”, njofton Policia./ZËRI