TIRANË-Saimir Rosales Rodriguez, shtetas kolumbian i njohur me nofkën “Kimisti”, është ekstraduar nga Kolumbia drejt Shqipërisë. Rodriguez u arrestua në shtator të vitit 2025. Ai do të vuajë dënimin me 14 vite burg, të vendosur pas hetimeve të Prokurorisë së Posaçme (SPAK) për laboratorin e kokainës në Frakull.
Sipas hetimit, 'kimisti' përdori "kompani fasadë" për të transportuar mallra nga porti i Buenaventurës, Kolumbi, në Greqi dhe Mal të Zi, ndërkohë që një pjesë e kokainës kishte si destinacion Shqipërinë. Ai akuzohet për kryerjen e veprave penale "trafikimi i narkotikëve" kryer në bashkëpunim në formën e posaçme të grupit të strukturuar kriminal, "grup i strukturuar kriminal", dhe "kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal".
Lidhur me laboratorin e kokainës në Frakull janë dënuar 11 persona të tjerë me 93 vite total burg. Laboratori u zbulua në nëntor të vitit 2022. Lajmi u publikua fillimisht nga mediat malazeze, pasi në portin e Tivarit prej muajsh 24 ton pleh kimik i përzierë me 430 kilogramë kokainë priste për marrësin. Kur ky i fundit shkoi në port, ndërhyri DEA dhe u bë arrestimi i tij. Më pas u organizua operacioni për prangosjen e personave të tjerë në Shqipëri. Në kuadër të këtij operacioni u sekuestruan 15,910 Euro; 3 armë zjarri automatik kallashnikov; 3 armë zjarri të llojit pistoletë; 108 copë fishekë luftarake të kalibrave të ndryshëm; 18 aparate telefonash celulare; 5 automjete; 2 laptop dhe 2 armë gjahu./ZËRI
