
GREQI- Georgia Murati është gjetur sot e vdekur në një baule, ndërsa policia greke ka arrestuar bashkëshortin e saj dhe një shokun e tij, pasi akuzohet se kanë kryer vrasjen. Ajo që e bën edhe më të rëndë aktin, është fakti se 41-vjeçarja ishte në pritje të një fëmijë, ndërsa kishte dhe një vajzë 13-vjeçare nga një marrëdhënie e mëparshme.

Shqiptarja u zhduk ditën e Vitit të Ri dhe të enjten u lëshua një alarm për gjetjen e saj. Madje partneri doli në media dhe pretendoi se 41-vjeçarja kishte marrë me vete një shumë të madhe parash, duke publikuar edhe mesazhet që kishte dërguar së fundmi.
“Mirëmëngjes dashuria ime... Kam ardhur në shtëpi, kështu që shihemi më vonë. Dije se e di që nuk po punon më për shkak të gënjeshtrës që të kërkova të thuash që të bëhemi miq. Dua të të them diçka: të kam marrë para nga sirtari... E di që ke nevojë, por është domosdoshmëri. Unë do të ta tregoj personalisht. Të lutem mos u zemëro me mua... të dua,”-shkruhet në mesazhin e fundit të dërguar nga shqiptarja.
Për mediat greke ka folur edhe i vëllai i shqiptares, i cili zbuloi edhe mesazhin që e reja i kishte dërguar të ëmës.
“Nuk mund ta kuptoj pse ka ndodhur e gjithë kjo. Ajo i dërgoi një mesazh nënës sime për mëngjesin e djeshëm se ka diçka në pritje. Nuk e gjejmë, celulari i është fikur. Asgjë e madhe nuk ka ndodhur në familje që të bëjë një lëvizje të tillë dhe të zhduket kështu. E rëndësishme është që as fëmijën e saj nuk ka informuar. Jemi të shqetësuar, nuk dimë çfarë të bëjmë tjetër. Diçka që nuk më pëlqen dhe nuk më ngjit në mesazhin që i ka dërguar partnerit të saj. Në të njëjtën kohë, partneri i saj pretendon se motra ime ka marrë një sasi parash. Por edhe ky version nuk më ngjit sepse motra ime nuk është e tillë,”-tha vëllai i saj.
E mesa duket kishte të drejtë pasi e motra i ishte vrarë, e më pas ia kishin fshehur trupin në një baule./ZËRI