
GREQI- Dy fëmijët që ranë në lumin Arachthos në Arta të mërkurën i kanë humbur të gjitha shpresat për të mbijetuar. Mjekët kanë dalë në përfundimin se të dy kanë zhvilluar sindromën klinike të vdekjes së trurit. E vetmja gjë që i mban gjallë dy të miturit janë makineritë.
Në këto kushte, prindërit e 13 dhe 14-vjeçarit kanë vendosur që të dhurojnë organet e fëmijëve të tyre. Dy fëmijët u nxorën nga lumi Arachthos në Arta pa ndjenja, por pas një reanimacioni sistematik kardiopulmonar, mjekët ia dolën mbanë dhe i sollën në jetë. Ata u transferuan në një spital në Patra, megjithatë, testet që iu nënshtruan në një moment të dytë nxorrën përfundimin se nuk ka më shpresë për ta. Për shkak të mungesës së oksigjenit në tru, dy fëmijët e vegjël pësuan dëmtime të shumta në shumë organe, dhe mjekët arritën vetëm t'u stabilizonin mushkëritë.
Ndërkohë në vendin ku u mbytën nxënësit, miqtë e tyre lënë lule dhe një letër, e cila shkruante: Do t'ju kujtojmë përgjithmonë, ju ikët si heronj. Shoqëria juaj!
Sipas ERT, dy të miturit rezultuan se kishin qenë pa oksigjen për më shumë se një orë. Fëmijët kishin rënë në fund të lumit të Arachthos për të paktën 20 minuta, derisa 41-vjeçari shqiptar Ledian Goga u zhyt në lumë dhe i nxorri të dy.
Kronika e tragjedisë në Arachthos
E gjitha ndodhi mesditën e së mërkurës kur një grup prej katër fëmijësh shkuan në lumin Arachthos për të notuar. Sipas informacioneve, 13-vjeçari shqiptar u zhyt i pari dhe 14-vjeçari, duke parë se shoku i tij po mbytej, vendosi ta ndihmonte. Por 14-vjeçari Spyros, në përpjekje për të shpëtuar shokun e tij, goditi kokën dhe të dy përfunduan në fund të lumit. Dy fëmijët e tjerë vrapuan për të kërkuar ndihmë dhe 41-vjeçari shqiptar nxitoi që t'i ndihmonte.
Duke folur për protothema.gr, ai tregoi sesi arriti t'i nxirrte fëmijët nga lumi.
"Isha në kafene. Një fëmijë erdhi dhe bërtiti 'ndihmë, dy fëmijë po mbyten në lumë!' Pa menduar dy herë, vrapova. Hipa në makinë dhe shkova në vendngjarje. Kalova nëpër kallamishte, kontrollova - nuk pashë asgjë. Hipa në një varkë me disa të tjerë. U zhyta një herë - asgjë. Herën e dytë mora frymë thellë, u zhyta më thellë, rreth 8 metra. Atje e pashë. Fëmija ishte shtrirë, me një fytyrë të nxirë, krahë dhe këmbë të hapura. Dhe pastaj dëgjova se kishin parë të dytin. U zhyta përsëri, dy dhe tre herë. E gjeta. Ishte me shpinë. Kur e nxora lart, po i rridhte gjak nga hunda dhe goja. U frikësova. Njëri ishte afërsisht në moshën e vajzës sime. Nuk më intereson kush janë, çfarë race, çfarë feje. Jam i huaj, por jam njeri. Bëra atë që do të bënte çdo baba,"-tregoi ai.
Por fatkeqësisht, asnjë nga të dy nuk mundi që të mbijetonte./ZËRI