
ITALI- Një 45-vjeçar shqiptar është vënë në pranga në Itali pasi ka qëlluar me armë zjarri duke lënë të plagosur djalin e partneres së tij. Ai është një shqiptar pa precedentë penalë, shofer kamioni. Partnerja e tij është një ukrainase 39-vjeçare. Dyshja kishin një vajzë 6-vjeçare bashkë, por jetonin edhe me dy djemtë që ukrainasja kishte nga martesa e saj e parë, të moshës 15 dhe 18 vjeç, të cilët ajo i kishte marrë në Itali pas nisjes së lustës në Ukrainë.
Episodi ka ndodhur në Novate Milanese, në natën midis së shtunës dhe të dielës. Sipas asaj që është rikonstruktuar nga karabinierët, ngjarja ka ndodhur rreth orës 03.30 në apartamentin në via XXV Aprile, një kompleks pallatesh pak hapa larg qendrës së qytetit, ku çifti jeton. Mosmarrëveshja në familje mes 39-vjeçares dhe partnerit të saj, mesa duket ka nisur në mes të natës, për arsye të lidhura me situatën familjare që ishte krijuar me ardhjen e fëmijëve të gruas nga Ukraina.
Fillimisht janë shkëmbyer fjalë të ashpra dhe më pas një shuplakë e shtytje. Britmat e gruas zgjuan vajzën e çiftit dhe djalin 15-vjeçar, të cilët po flinin në dhomën ngjitur. Djali tentoi të mbronte nënën e tij, por 45-vjeçari e kërcënoi dhe e rrahu edhe atë. Në atë moment ai doli nga banesa dhe vrapoi të telefononte Maksim B., vëllain e tij të madh, i cili ishte jashtë me një grup shokësh. Ajo i tregoi se çfarë po ndodhte në shtëpi dhe ai u kërkoi miqve ta shoqëronin deri në banesë.
Kur mbërritën në banesë, gruaja u përpoq më kot të bindte djalin e saj që të tërhiqej. Ai bashkë me miqtë, fillimisht kanë arritur të bllokojnë 45-vjeçarin i cili ka nxjerrë papritur armën dhe ka qëlluar djalin pranë qafës. Arma, një Beretta 84 e mbajtur ilegalisht, rezulton e vjedhur në vitin 2013 në Sassuolo, në zonën e Modenës.
Shokët e 18-vjeçarit janë larguar me vrap; gruaja mbylli dy fëmijët e saj të tjerë në një dhomë gjumi; Maksimi u rrëzua përtokë duke humbur shumë gjak, pasi plumbi dëmtoi një arterie. Telefonata në 112 është bërë rreth orës katër të mëngjesit. Karabinierët dhe ambulanca mbërritën dhe pas trajtimit fillestar mjekësor në vendngjarje, 18-vjeçari u dërgua me urgjencë në spital e iu nënshtrua një operacioni delikat. Gjendja e tij është shumë e rëndë dhe jeta e tij është në rrezik.
Karabinierët ndaluan kamionistin shqiptar dhe e dërguan në qeli, ku u mor në pyetje nga prokurori Paolo Storari. Gjatë këqyrjes së banesës, ushtarakët sekuestruan armën, gëzhojën dhe 40 gëzhoja të tjera të të njëjtit kalibër që burri fshihte në shtëpi. Edhe gruaja është marrë në pyetje.
45-vjeçari akuzohet për tentativë vrasje dhe armëmbajtje pa leje dhe u transferua në burgun e San Vittore.