
TIRANË- Një vajzë e mitur, është rrëzuar në hapësirën midis shkallëve elektrike të katit të 3-të, të një qendre tregtare në rrugën “Murat Toptani”. Gjatë momentit kur ka rënë nga shkallët, prindërit e të miturës sipas burimeve ndodheshin në një dyqan. 4-vjeçarja është dërguar në spital për shkak të plagëve të marra, ku ndodhet në kujdesin e mjekëve.
Sipas të dhënave të deritanishme, mësohet se e mitura ndodhet në reanimacion, pasi për shkak të rrëzimit ka pësuar dëmtime në pjesën e kokës, por ka marrë edhe fraktura në pjesë të ndryshme të trupit. Megjithatë, pavarësisht dëmtimeve, gjendja e saj paraqitet stabël dhe po mbahet nën kujdes intensiv nga mjekët e spitalit.
Njoftimi i policisë:
Më datë 01.09.2024, rreth orës 11:15, në një qendër tregtare në rrugën "Murat Toptani", dyshohet se aksidentalisht është rrëzuar në hapësirën midis shkallëve elektrike të katit të 3-të, një e mitur 4 vjeçe, e cila si pasojë është dëmtuar dhe ndodhet në spital, në kujdesin e mjekëve. Grupi hetimor po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes./ZËRI